Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se të martën e 17 tetorit ka vizituar familjen e rreshterit Afrim Bunjaku i cili u vra në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Në njoftim thuhet se bashkë me përfaqësuesit e DRP në Pejë dhe përfaqësuesit e fondacionit Plavë-Guci me seli në Amerikë, familjes ju dhurua një donacion mbi 9 mijë dollarë.
“Me date 17.10.20203 ishim për vizitë te familja e heroit Afrim Bunjaku së bashku me përfaqësuesit e DRP Pejë dhe përfaqësuesit e fondacionit Plavë-Guci me seli në Amerikë, ku ju dhurua një donacion familjes së rreshterit Afrim Bunjaku në vlerë prej 9200 dollarë”, thuhet në njoftim.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku është polici i dytë i Republikës së Kosovës që është vrarë në veri të vendit, përderisa ishte në detyrë.
Zyrtari i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të uniformuar në Banjskë të Zveçanit. Pos tij, në këtë ngjarje u plagosën edhe dy kolegë të tij.
Polici tjetër që kishte rënë në detyrë është Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë. Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.