Tri familje nga rajoni i Dukagjinit, familjarët e të cilave janë vrarë në fillim të dekadës së kaluar në rrethana ende të pasqaruara, thanë sot se janë të tronditura nga dëshmia televizive që mbrëmë e dha Shkumbin Mehmeti, një i dënuar për pjesëmarrje në një vrasje në rrethinën e Podujevës, në vitin 2004.
Ndër vrasjet që i përmendi Mehmeti janë edhe ato të Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt, të vrarë në dy raste të ndryshme në rrethinën e Pejës në vitin 2003.
Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj lëshuan sot një deklaratë të përbashkët rreth kësaj dëshmie të cilën të plotë mund të lexoni më poshtë:
Dje, më datë 11 janar 2018, në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, është transmetuar dëshmia e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ku janë dhënë dëshmi tronditëse për krime të pandriçuara në Kosovë.
Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve.
Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherit i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj.
Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij.
Jemi thellësisht të indinjuar që pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit.
Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar.