Manuali i FAO për sëmundjen e lëkurës e njohur si dermatoza nodulare (LSD) për veterinerët tani vjen në gjashtë gjuhë, për të ndihmuar në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së kafshëve që është përhapur në Evropë që nga viti 2015. Kjo plotëson edhe trajnimin e trajnerëve, duke mbuluar edhe një sëmundje tjetër të ripërtypësve, sëmundjen e gjuhës blu, në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Nxitur nga ngrohja e klimës, shumë sëmundje ekzotike dhe lokale ndërkufitare të kafshëve, janë duke u përhapur shpejt nëpër kontinente dhe territore të reja. Aftësia për t’u përballur me to, ndikon në mjetet e jetesës së shumë rritësve të bagëtive – kryesisht fermerëve familjarë që mbështeten në ekspertizën e veterinerëve.
Ardhur nga Afrika, sëmundja e dermatozës nodulare ka një histori të shkurtër në Evropë por është përhapur në Ballkan, Kaukaz dhe Federatën Ruse dhe po kërcënon të përhapet më tej në lindje në Azinë Qendrore. Megjithatë, shumë veterinerë në terren nuk janë të njohur me tiparet klinike të sëmundjes, rrugët e transmetimit dhe opsionet për parandalimin dhe kontrollin. Gjatë një epidemie të mundshme të sëmundjes, një përgjigje e shpejtë është thelbësore.
Profesionistët e shëndetit të kafshëve mund të përdorin manualin me udhëzime praktike në gjuhën shqipe, angleze, maqedonisht, ruse, serbe dhe turke. Përveç kësaj, kopjet fizike të këtij manuali janë shpërndarë në shërbimet veterinare në Ballkan dhe së shpejti do të transportohen në tetë vende në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore që janë në rrezik për përhapjen e sëmundjes.
“Sëmundja e dermatozës nodulare mund të shkaktojë humbje serioze ekonomike për fermerët, veçanërisht në rastin e fermerëve të vegjël familjarë që mbështeten shumë tek kafshët individuale”, tha zyrtari i FAO për shëndetin e kafshëve, Daniel Beltrán-Alcrudo. “Për më tepër, sëmundja ka implikime serioze tregtare për vendet eksportuese.”
Kafshët e prekura kanë dëmtim në lëkurë, gjë që mund ta cënojë dhe shitjen e lëkurës së tyre të vlefshme. Efektet e tjera të sëmundjes së lëkurës janë ulja e sasisë së prodhimit të qumështit dhe ulje e pjellorisë. Virusi transmetohet kryesisht nga pickimet e insekteve.
Përveç sëmundjes së dermatozes nodulare, FAO gjithashtu ka punuar për të luftuar sëmundjen e sëmundjes së gjuhës blu në rajon. Në fund të vitit 2017, FAO drejtoi një program trainimi për trajnerët në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke arritur tek veterinerët zyrtarë dhe privatë në terren.
“Gjithsej, 281 veterinerë morën pjesë në program,” tha Beltrán-Alcrudo. “Ata kanë mësuar për karakteristikat kryesore të të dy sëmundjeve, praninë e tyre në rajon, mënyrat për të trajtuar një epidemi, vaksinim dhe raportim”.
FAO planifikon të vazhdojë me trajnime të ngjashme, duke u fokusuar në LSD në Bjellorusi, Moldavi dhe Ukrainë. Secili prej këtyre vendeve është në rrezik të lartë infektimi.