Farmacistja përgjegjëse e “Altupharmës”, drejtoreshë e Barnatores Qendrore

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 07:51 | Nga Ekonomia Online

Gëzime Pllana, e cila punon si farmaciste në QKUK dhe në të njëjtën kohë punon edhe në kompaninë private “Altupharm”, është përzgjedhur në krye të Barnatores Qendrore.

Në një konkurrencë prej tre personave, njëri prej të cilëve është tërhequr gjatë procesit, Pllana ka arritur që të marrë 352 pikë duke lënë pas kandidatin tjetër Visar Eminin me 327 pikë. Ndërsa kandidati Erblin Elezi nuk ka marrë pjesë fare në test.

Prej vitit 2015 punën e menaxheres kryesore për menaxhimin e Barnatores Qendrore e ka kryer Arjeta Stanovci. Megjithatë, organografi i ri, i miratuar nga Bordi i QKUK-së, nuk e shkrin pozitën e koordinatores, por e ka krijuar edhe pozitën e drejtoreshës, që është zgjedhur Pllana. Në mënyre hierarkike pozita e drejtoreshës është më lartë se e koordinatores.

Buxheti i barnave është rreth 30 milionë euro, pjesa më e madhe e këtij buxheti shkon për spitalet sekondare dhe për QKUK-në si spital terciar. Të gjitha barnatoret e spitaleve sekondare dhe terciare janë nën menaxhimin e Barnatores Qendrore, ku Pllana është drejtoreshë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme