Kandidimi i Ukë Rugovës për deputet të LDK-së është një akt që, në çdo standard politik minimal, do të klasifikohej si farsë. Jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për një person që ka qenë i akuzuar për krim të organizuar, por sepse ky veprim e zhvesh përfundimisht LDK-në nga pretendimi i saj për moral politik, maturi institucionale dhe seriozitet programatik. Në vend të reformës, partia ka zgjedhur rikthimin e një simbolike të vjetruar, të cilës koha i ka humbur ngjyrën, energjinë dhe legjitimitetin.
Dhe ironia më e madhe është se kjo përpjekje e çalë për të rikuperuar vota nuk është as reflektim historik, as strategji politike. Është thjesht dëshpërim. Një mendësi arkaike që beson se kujtesa kolektive e popullit mund të manipulohet me fotografi, emra dhe mite, sikur qytetarët e Kosovës të mos jetonin më 2025, por diku mes 1999 dhe një nostalgjie të vonuar.
Nëse LDK mendon se mobilizimi elektoral arrihet me simbole të mbitreguara, atëherë partia ka një problem konceptual serioz: e ngatërron marketingun politik me substancën politike. E ngatërron emrin Rugova me vizionin. E ngatërron nostalgjinë me të ardhmen.
E vërteta është e thjeshtë: një parti që nuk ka ide, e shet veten me mite.
Mirëpo populli i Kosovës nuk ka nevojë për mite. Ka nevojë për përgjigje.
Përgjigja e parë:
Çfarë qëndrimi ka LDK për veriun e Kosovës? Pse s’ka as platformë, as analizë, as vizion për trajtimin e çështjes më delikate të vendit? Nëse një parti që synon qeverisjen nuk është në gjendje të artikulojë një politikë të qartë për veriun, atëherë çdo pretendim tjetër bie poshtë. Shtetndërtimi nuk bëhet me retorikë të butë dhe kandidatë me probleme të integritetit.
Përgjigja e dytë:
Si synon LDK të reformojë sistemin arsimor, shëndetësor dhe kulturor? A ka ndonjë plan? A ekziston ndonjë dokument programatik që tejkalon fraza të përgjithshme? Arsimi është në krizë të thellë strukturore. Shëndetësia kërkon riformatim total. Kultura është lënë në harresë. Nuk ka zgjidhje magjike, kërkohen ide, ekspertizë dhe njerëz të zotë. Simbolet nuk reformojnë institucione.
Përgjigja e tretë:
Si do të integrohet ekonomia e Kosovës në tregjet rajonale dhe evropiane? Ku qëndron vizioni i LDK-së për industrinë, inovacionin, kapitalin njerëzor? Deri më sot, LDK nuk ka artikuluar një qasje serioze që ta bëjë ekonominë kosovare pjesë organike të zhvillimit rajonal dhe europian. Pa ekonomi konkurruese, çdo retorikë për integrime është teatër politik.
Përgjigja e katërt dhe më e rëndësishmja:
Kush janë njerëzit që do ta bëjnë këtë transformim? Sepse shteti nuk ndërtohet nga metaforat, por nga njerëz konkretë. Dhe është plotësisht e dyshimtë, për të mos thënë e pabesueshme, që reforma shtetërore, ngritja e kapaciteteve institucionale dhe integrimi evropian do të udhëhiqen nga figura të profilit të Ukë Rugovës dhe “ujqërve” të tjerë të këtij kalibri.
Nëse LDK beson se ky është ekipi transformues, atëherë problemi nuk është më vetëm politik, është epistemologjik. Ai lidhet me mënyrën se si partia e kupton realitetin, dijen, përgjegjësinë dhe shtetin.
Në fund të ditës, kandidimi i Ukë Rugovës nuk është vetëm gabim i një partie. Është simptomë e një krize më të thellë: kriza e vizionit, kriza e seriozitetit, kriza e mendimit politik në LDK.
Kosova nuk ka nevojë për farsë. Nuk ka nevojë për simbole të zbehura. Nuk ka nevojë për riciklim figurash të kontestuara.
Kosova ka nevojë për vizion, për reforma, për njerëz me integritet dhe për ide që mbajnë peshë në kohë, jo për politikë të lodhur që endet rreth miteve të djeshme.
Nëse LDK nuk arrin ta kuptojë këtë, atëherë nuk është populli që duhet të ndryshojë mendim. Është LDK që duhet të ndryshojë paradigmë.