Kosova, ka dialoguar me Serbinë së paku në këto tridhjetë vitet e fundit, e veçmas që nga Rambujeja por, edhe i është dashur të luftojë me të. Pa u stërzgjatur mbi të kaluarën, dialogu me Serbinë është zhvilluar goxha intensivisht në këto shtatë vitet e fundit, duke filluar me negociata teknike, e duke përfunduar në bisedime politike. Në thelb, gjithçka ka qenë politike përderisa, problemi Kosovë-Serbi, është pa dyshim politik.
I gjithë procesi, është ndërmjetësuar nga BE-ja, nën observimin e SHBA-ve. Kështu, të kthehemi pak në retrospektivë, në rrjedhë të procesit “Rambujeja”.
Kosova arriti përmes politikës amerikane të ketë një sukses në Rambuje duke nënshkruar një marrëveshje që për përmbajtjen e saj, ishte mospranues për Serbinë, por detyrues si presion ndërkombëtar, e cila “marrëveshje”, edhe i solli Kosovës bombardimet e NATO-s dhe si epilog, lirinë e saj. Dialogu, ishte imperativ i kohës në të cilën ndodhej Kosova, e cila ishte në një luftë të tmerrshme dhe të pabarabartë.
I gjithë ky proces, ishte përpjekje dhe sakrificë e popullit nën udhëheqjen e UÇK-së në luftën për liri. Ky, ishte edhe një fat jo vetëm historik por edhe gjeopolitik i Kosovës. Përkushtimi i ekipit negociues nën drejtimin e drejtorit të drejtorisë politike të UÇK-se, ishte i jashtëzakonshëm. Përpjekjet e liderëve botërorë rreth Rambujesë, sidomos të atyre që ishin direkt të kyçur në proces, si znj. Sekretare Medeline Albright, përshkruhen në shumë detaje. Për shembull, Albright, fletë në librin e saj “Madam Secretary” apo në librin e saj të fundit “Të fuqishmit dhe të plotfuqishmit”, e po ashtu edhe ministri britanik Kuk, ai francez, Vedrin. Ministri gjerman J. Fisher, po ashtu fletë në librin e tij. Ky i fundit përshkruan shumë detaje në librin “Vitet Kuq e Gjelbër” dhe thekson se, “ne ishim të bindur që UÇK ishte instrument i Amerikës” duke treguar për raportet e veçanta mes kreut të UÇK-së Hashim Thaçit dhe znj. Albright.
Koha në favor të Kosovës
Këta burrështetas botëror, ishin përcaktuar që jo vetëm duke punuar mbi etikën e qëllimit përfundimtar, por para se gjithash, të udhëhequr nga etika e ndërgjegjes për fatin e një populli që kërkonte lirinë e tij. Pse e themi se Kosova kishte fat! Sepse dy aleatet kryesor të Kosovës ishin SHBA (bashkësia ndërkombëtare) dhe aleati kohë që punonte për Kosovën. E para, SHBA ishin në kulmin e ndikimit politik dhe ushtarak në sferën e politikë bërjes globale, ku pjesa dërmuese ndërkombëtare me probleme të mëdha si recesioni ekonomik dhe problemet gjeopolitike të pa zgjidhura nga e kaluara, nuk mundeshin të shtyheshin pa SHBA-të. Në anën tjetër, ishte aleati “kohë” kur Kosova luftonte për lirinë, dhe kështu, armiqtë e saj ishin në pozitën më të dobët historike! Rusia, ishte pothuajse e kolapsuar ushtarakisht dhe ekonomikisht gjë që kjo nënkuptonte se, ajo kishte nevojë për mbështetje ndërkombëtare, e sidomos atë amerikane.
Nga ana tjetër, Serbia kishte një imazh ndërkombëtar të rrënuar pas luftërave dhe gjenocidit që kishte shkaktuar në Jugosllavi, e ku filloi të njëjtat veprime t’i bënte edhe në Kosovë. Pra, pse ne triumfuam!? Ne triumfuam sepse, bëmë luftë të pastër, bëmë politikë të mençur në Rambuje. Koha, po ashtu, punonte për ne dhe natyrshëm, çështja jonë rezultoi me mbështetje të botës demokratike dhe ne, u çliruam. Xhejms Rubin thotë se pa lidershipin e Hashim Thaçit, Rambujeja s’do të kishte sukses dhe rrjedhimisht, as ndërhyrja e NATO-s nuk do të ndodhte.
Pas një administrimi ndërkombëtar shtatëvjeçar nën Rezolutën 1244, edhe pse me shumë të meta, duhet të pranohet se, u themelua një administratë e cila do të shërbente me vonë për formalizimin politik të shtetit të Kosovës. Në vitin 2003, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të OKB-së, Hari Holkeri, ua dorëzoi autoriteteve kosovare dokumentin, “Standardet për Kosovën” ose të ashtuquajtura ”Standardet para Statusit”. Ky ishte një rrugëtim deri në vitin 2005, duke përfunduar gjithçka në Vjenë. Pas shumë përpjekjesh e negociata të Vjenës në vitin 2006-2007, Kosova me delegacionin e saj pranuan pakon gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisarit. Pas kësaj, bashkësia ndërkombëtare-amerikane e sugjeroi që duhet të shkohet në zgjedhje ku, edhe pritej të fitonte Lideri i opozitës, Hashim Thaçi! Kjo kishte sens për faktin se donin që rrugëtimin për çlirim në Rambuje me liderin e UÇK-së, ta përmbyllnin në Prishtinë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nën udhëheqjen e tij. Prandaj, me bekimin e SHBA-ve, e shpalli shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Shteti nuk ishte përmbyllur në tërësinë e tij, edhe pse kishte një numër të konsideruar njohjesh edhe atë shumë domethënëse, duke përfshirë shtete më me ndikim në rrafshin ndërkombëtar. Pas shpalljes së pavarësisë, kishim një rebelim të serbeve të veriut të cilët dogjën pikat kufitare 1 dhe 31, duke e krijuar një kufi administrativ tek “Ura e Ibrit” në Mitrovicë. Kjo urë formalisht ishte pike e krijuar nga vet ndërkombëtarët dhe rrjedhimisht me 17 shkurt vetëm ju dorëzua strukturave paralele serbe. Serbia strategjikisht donte të blinte kohë, duke llogaritur në ringjalljen ndërkombëtare të saj dhe fuqizimin e aleatëve të saj.
Duke qenë i vetëdijshëm për faktorin kohë, Kryeministri Thaçi e kuptoi se koha nuk po punonte për ne si dikur dhe armiqtë e Kosovës, dhe faktori “kohë” dita ditës, po e favorizonte tjetërkend, dhe se miqtë e Serbisë po shtohen. Mbi këtë pikëpamje gjeopolitike, më 25 korrik 2011 mori aksionin më të madh pas vitit 1999, duke i rikthyer pikat kufitare 1 dhe 31 në Veri të Republikës dhe duke e kthyer edhe dinjitetin e nëpërkëmbur shtetëror!
Kjo nuk kishte me ndodhur pa miratimin në heshtje të SHBA-së. Ky veprim i shtetit të Kosovës, e zgjoi vëmendjen e fjetur ndërkombëtare karshi një problemi me Serbinë akoma të pa zgjidhur përfundimisht, dhe se kjo kërkonte zgjidhje! Në vitin 2011, filluan bisedimet duke u kurorëzuar me një marrëveshje në Bruksel, më 13 prill 2013. Në përmbajtje, kjo marrëveshje kishte gjëra të mira, por edhe nga ato që do të mund të negocioheshin më mirë. Pika me thelbësore ishte ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe! Kjo marrëveshje, në parim ishte nënshkruar nga Kryeministri Thaçi, ndërsa që më vonë në përmbajtje, u nënshkrua nga Kryeministri Isa Mustafa dhe e cila, sipas pikës 2 të saj, do të duhej të merrte miratimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje sipas vendimit të kushtetueses, doli të ishte në kundërshtim me Kushtetutën në disa nene të saja.
Që nga kjo kohë, dialogu ka stopuar sepse, nuk e kemi miratuar asociacionin që pretendon Serbia, e edhe marrëveshjet e arritura kanë hasur në vështirësi të zbatimit. Duke e parë se dialogu s’ka dhënë frytet e tij, dhe se presioni ndërkombëtar është rritur mbi palën kosovare për asociacionin, e kuptojmë se as premtimet ndërkombëtare si liberalizimi etj., nuk janë mbajtur. Në këtë rrethana, z. Thaçi doli me një propozim të mospërjashtimit të marrjes së Luginës së Preshevës, dhe ky propozim u kuptua tashmë nga opinioni s’i tendencë e shkëmbit të territoreve! Në bindjen time, edhe sot konsideroj se ky ishte triku politik më i madh dhe më i dobishëm që kishte bërë presidenti Thaçi në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Pse, sepse në anën tjetër, kjo alternativë iu përgjigj saktësisht presionit ndërkombëtar për asociacion me kompetenca ekzekutive dhe legjislative!
Pra, z. Thaçi, me këtë tha: “Kosova me një asociacion të tillë, bëhet shtet jo funksional dhe ndarja e saj me vonë do të ishte e pa shmangshme, si e tillë është e papranueshme”. Prandaj, ai ngrehu theksin në atë se, “ose integrim të Luginës në Kosovë ose s’ka asociacion” sipas asaj që kërkonte Serbia me presion ndërkombëtar. Ky variant, ishte kërcënues për lëvizje kufijsh në Ballkan dhe apriori, ishte refuzues për BE-në. Çka ndodhi!? Çka arriti Thaçi me këtë?
Bashkësia ndërkombëtare për herë të parë pas vitit 1999, u vu në funksion të problemit! Kjo lëvizje e presidentit Thaçi e detyroi deklarimin individual të shteteve se Kosova, është dhe duhet të mbetet e pavarur në kufijtë e saj, duke e betonuar edhe njëherë qëndrimin ndërkombëtar ndaj Kosovës, dhe e pamundësoi insistimin ndërkombëtar për një asociacion të tillë. Duke qenë me një linjë me SHBA, z. Thaçi arriti në fund të procesit përmes organizimit të një takimi në Shtëpi të Bardhë mes treshes presidenciale “Trump – Thaçi – Vuçiq”. Cka ndodhi? Ndodhi ajo që sot e rrezikon të ardhmen e Kosovës.
Koha në favor të Serbisë
Rritja e ndikimit të armiqve të Kosovës, sidomos e Rusisë në politikë bërjen globale, veçmas pas rastit të Krimesë dhe problemeve në lindje të mesme, rasti i Sirisë etj., e bënë atë faktor kyç në ndikimin e saj edhe në Ballkan. Disa shtete të BE-së, të varura nga gazi rus dhe jo vetëm, e disa nga kërcënimi i saj direkt, por edhe ndikimi i lobimeve ekonomike ku tregun e Serbisë e shohin alternativë dhe Serbinë shtet me ndikim në Ballkan, filluan t’i kundërvihen e politikës amerikane për të prishur marrëveshjen e Uashingtonit përmes ndikimit rus dhe atij evropian: e për rrjedhojë tek prokurorët e zyrave të Specializuara, dhe ia ndërprenë rrugën presidentit Thaçi, duke e rikthyer në Kosovë me ngritje të aktakuzës për krime lufte siç pretendonte Serbia dhe aleatet e saj. Eliminimi i Presidentit Thaçi dhe ish kryetarit të Kuvendit z. Veseli nga mundësia e dialogut dhe e vendimmarrjes, përmes Gjykatës Speciale është tregues se Kosova po hyn në fazën e saj kritike. E para, se armiqtë e saj janë në hovin më të madh të ndikimit politik global, dhe se koha për Kosovën ka rrezik të filloj të numërojë mbrapsht!
A ka mbërri Serbia qëllimin përmes blerjes së kohës? Themi se po! Disa shtete të BE-së, fatkeqësisht po mundohen ta etablojnë Serbinë në analet e saj historike pa paragjykim për të ardhmen, ku akterët e bombardimit të Serbisë nuk janë në skenën ndërkombëtare dhe gjeneratat e pas vitit 1999, po thuajse e njohin vetëm s’i histori problemin e Kosovës. Prandaj, disa qarqe synojnë që problemi dhe e ardhmja në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohet në pragmatizëm ose marrje të vendimeve sipas realiteteve te krijuara në terren, ku interesat e dy shteteve duhet të përputhen me interesat ndërkombëtare!
Shpresa e vetme aktualisht është presidenti i SHBA-së, Bajden. Ndërsa, shqetësimi i vetëm është kryeministri Kurti. Ky, pikërisht në kohën e Presidentit amerikan Bajden e vë dialogun jashtë prioriteti të tij. Koketimi jo racional i kryeministrit Kurti me BE-në si parësore në raport me SHBA-të, dhe duke mos e pasur prioritet dialogun me të cilën lidhet fati i Republikës, pa zgjidhjen e të cilit s’ka as zhvillim ekonomik dhe as anëtarësim ndërkombëtar, sikurse në OKB dhe në mekanizma tjerë, paraqet rrezikun për Kosovën. Kjo rrugë e z. Kurti, e fut Kosovën në një “geto- moratorium” ose “status-quo” s’i problem të ngrirë dhe të mos u zgjidhur edhe për shumë kohë. E koha që do të vijë, nuk do të jetë ajo e viteve 1999/2008 në favor të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, por do të jetë koha që ka blerë Serbia për të fuqizuar rolin e saj ndërkombëtar dhe ringritjen e miqve të saj në politikë bërjen botërore.