“Fatkeqësia më e madhe e një familjeje është jeta e pajetuar e prindërve”. Në këtë përfundim ka arritur Jung-u, një ndër teoricienët e mi të preferuar në lëmin e psikologjisë.
Më qëllon të ngecem në një grusht fjalësh, të cilat, të renditura në mënyrën e duhur, arrijnë të ma përçojnë trurin tejpërtej. Dhe, në një sekondë të vetme, arrijnë të nxjerrin nga kujtesa ime gjithë atë mori jetësh të njerëzve që kam njohur, të pacientëve që kam trajtuar dhe të shumë të tjerëve, për të cilët kam dëgjuar të flitet.
Sa të vërtetë e gjej këtë përfundim!
Po! Jetët e pajetuara të dy njerëzve që janë prindërit e një familjeje, janë me të vërtetë fatkeqësia më e madhe e një familjeje.
Ato jetë të lëna në mes, ato ëndrra apo dëshira të cilat u mbyllën në sirtar për t’u ndjekur më vonë, ato vullnete të pashprehura nga frika se do t’i bënin karshillëk të mirës së përbashkët…
Të gjitha këto dhe shumë të tjera që rrinë dhe presin kur të vijë momenti i duhur për t’u jetuar. Presin të shlyhet kredia, të rriten fëmijët, të mund të vihen ca kursime mënjanë për kohë të këqija…
Presin dhe ashtu, duke pritur, tkurren dhe shtrembërohen duke e bërë njeriun-prind një qenie të mpakur, të zemëruar, të dëshpëruar, të pasigurt, të frikësuar dhe të palumtur.
Dhe këto jetë të pajetuara i qëndrojnë familjes mbi kokë si shpata e Demokleut, duke u mbajtur në ajër vetëm nga një mendim i fshehur thellë, thuajse i varrosur: ‘Mbase do vijë edhe një herë koha kur unë të kem edhe një herë një mundësi të jetoj…!”