Fatmir Sheholli, i dyshuari për spiunazh po trajtohet në spital

Prishtinë | 12 Tet 2025 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

I dyshuari për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe momentalisht po trajtohet aty.

Sheholli një ditë pasi i ishte caktuar masa e paraburgimit, kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe më 11.10.2025 u dërgua në spital.

Fatmir Sheholli momentalisht është i hospitalizuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, shkruan Kallxo.com

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit, Afrim Cana.

“Pacienti është pranu dje (11.10.2025), ka ardhë me disa ndryshime në shëndet. Pas kontrolleve që i ka bërë në Emergjencën në Gjilan, ai është i hospitalizuar në Spital të Gjilanit, ku edhe është duke u trajtuar” – ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana, për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por Gjykata ende nuk ka kthyer përgjigje.

Me 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Fatmir Sheholli, i dyshuar spiunazh.

Përmes një njoftimi të datës 10.10.2025, Gjykata ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit.

“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penale spiunazhi”- thuhej në njoftimin e Gjykatës, të datës 10.10.2025.

Fatmir Shehollin është arrestuar më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.

Dosja e Prokurorisë

Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve të urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Detyrat e Shehollit sipas Prokurorisë Speciale ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.

Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.

Në vëzhgimet direkte sipas dosjes së prokurorisë është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.

Këto të dhëna pastaj, sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se i ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, përmes komunikimeve telefonike.

Më 07.10.2025, KALLXO.com publikoi hulumtimin për një dosje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale kah mesi i vitit 2024, teksa përmendej edhe Fatmir Sheholli.

Dosja fliste për dyshime se si rreth 2 milionë euro të fondit special të AKI-së ishin shpenzuar nga tre-ish drejtorët e këtij institucioni, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi në periudhën kohore 2017 – 2020.

Raporti i inspektimi, thotë se ish-drejtori Driton Gashi nga Fondi Special Operativ kishte shpenzuar mbi 1 milion euro, prej të cilave 500 mijë euro nuk dihet se kush i kishte pranuar. Por, për 500 mijë të tjera, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, e pati konfirmuar se ishin pranuar nga Fatmir Sheholli, tani i arrestuar si i dyshuar për spiunazh.

Fatmir Sheholli, është një figur e njohur në Kosovë që shpesh herë kishte marrë pjesë edhe në emisione televiziive në Kosovë dhe po ashtu ishte përmendur në foltoren e Kuvendit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Veç mos e tako Fatmir Shehollin, veç mos rri me Fatmir Shehollin, bashkëpunëtorin e Serbisë”, kishte deklaruar Albin Kurti, kryeministri tani në detyrë, më 03.11.2023, teksa po debatonte me deputetin e PDK-së, Hysen Berisha.

Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, në 9 raste thuhet se i ka dorëzu tek Fatmir Sheholli mbi 500 mijë euro.

Të ngjashme