Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një dedikim për liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nanon, i cili aktualisht po lufton me jetën, për shkak të komplikimeve shëndetësore.
Ai thotë se Nano, qe ai i cili vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale.
Kjo siç përmend Rama, në një kohë kur Shqipëria po përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes.
”LUTEM PËR FATOS NANON
Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme”, shkruan Rama.