Dy institucione të rëndësishme që merren me ofrimin e shërbimeve për konsumatorë u takuan gjatë ditës së sotme , për të bashkërenduar aktivitetet e tyre që ndërlidhen direkt me ofrimin e shërbimeve për konsumatorë.
Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i KRU”Prishtina” u takuan sot me Bordin e Drejtorëve dhe menaxhmentin e Postës së Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi i cili qe organizuar nga bordet e drejtorëve të të dyja ndërmarrjeve dhe që u mbajt në zyret kryesore të Postës së Kosovës, ishte diskutimi i çështjeve dhe mundësive më të mira për bashkëpunim , me theks të veçantë ofrimi i shërbimeve më të mira për konsumatorët.
Rëndësi dhe diskutim i veçantë dhe i konkretizuar, iu kushtua trajtimit dhe ofrimit të lehtësirave për konsumatorin , rreth pagesave për shërbime të ujit dhe ujërave të zeza, mundësive për realizim pagesash pa kosto shtesë, edhe në Postën e Kosovës. Të dyja palët u dakorduan që të intensifikojnë takimet bashkëpunuese duke ngritur edhe grupe të veçanta punuese nga të dyja kompanitë me qëllim, ndërtimin e hapave konkret rreth ofrimit të shërbimeve për konsumatorin.
Para së gjithash, në takim u konfirmua se, realizimi i pagesës së faturës së ujit përmes pikave të shitjes së Postës së Kosovës, konsumatorëve u garanton shlyerje të menjëhershëm të borxhit dhe në mënyrë automatike në sistemin e pagesave të KRU”Prishtina” sh.a.
U bëjmë thirrje konsumatorëve të KRU”Prishtina” me shtrirje në tetë komuna në zonën operative, që të shfrytëzojnë pikat e Postës së Kosovës për pagesën e faturës së ujit ngase, pagesat janë pa provizion shtesë dhe shlyhen menjëherë në sistemin e Ujësjellësit të Prishtinës.