Omiron do na prekë të gjithëve. Deklaratën e bën kreu i ekspertëve amerikanë për Pandeminë, Anthony Fauci. Sipas tij, aftësia e këtij varianti për t’u përhapur me shpejtësi do të infektojë një pjesë të madhe të popullsisë në botë.
“Me shkallën e tij të jashtëzakonshme, të paprecedentë të efikasitetit të transmetueshmërisë, Omicron përfundimisht do të na gjejë pothuajse të gjithëve”.
Këshilltari i presidentit amerikan, Joe Biden për pandeminë, nënvizoi se të pavaksinuarit do të paguajnë një çmim më të lartë.
“Edhe ata që janë vaksinuar apo që kanë marrë një dozë përforcuese do të ekspozohen. Disa, ndoshta shumë prej tyre, do të infektohen, por me shumë mundësi, me disa përjashtime, do ta kalojnë mjaft mirë në kuptimin e mosshtrimit në spital dhe vdekjes.”
Në Shtetet e Bashkuara, të paktën 1 në 5 amerikanë ose rreth 65 milionë njerëz nuk janë të vaksinuar. Të martën, numri i pacientëve të shtruar në spital arriti një tjetër rekord. SHBA kanë mesatarisht më shumë se 754 mijë raste të reja infektimesh çdo ditë. Kjo është 3 herë më shumë se piku i janarit të vitit të kaluar dhe efekti i atribuohet variantit Omikron.