Drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci shpjegoi në një intervistë me aktorin Matthew McConaughey se numri i viktimave do të jetë jashtëzakonisht i madh nëse Shtetet e Bashkuara përpiqen që të arrijnë imunitetin e tufës ndaj koronavirusit.
Në një diskutim me aktorin në llogarinë e tij në Instagram, eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive tha: “Nëse të gjithë e marrin sëmundjen, pavarësisht përqindjes së lartë të personave që nuk kanë simptoma, do të vdisnin shumë njerëz. Numri i vdekjeve do të ishte totalisht i papranueshëm nëse marrim parasysh numrin e lartë të njerëzve që vuajnë nga tensioni apo diabeti apo epideminë e obezitetit në vendin tonë”, tha Fauci.
“Kjo është arsyeja pse jemi kundër kësaj strategjie, ku disa thonë që ta lëmë koronavirusin t’i infektojë të gjithë dhe më pas do të jemi në rregull. Kjo është ide e keqe”, shtoi drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.
Komentet e tij u bënë vetëm pak orë pasi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshoi një parashikim të zymtë sipas të cilit deri më 5 shtator, numri i viktimave në SHBA do të arrinte në 189 000. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, deri të enjten, numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA është 167 242, me mbi 5 milionë raste të konfirmuara./A2CNN