Federata e Basketbollit e Kosovës të enjten ka zyrtarizuar vendimin për të lënë Pejën jashtë garave të edicionit 2018/19. FBK-ja përmes një komunikate ka dhënë informata lidhur me zhvillimet që kanë sjellë vendimin për të lënë Pejën jashtë kampionatit.
Sipas FBK-së, KB Peja as në afatin shtesë të caktuar nga Bordi i Federatës nuk ka arritur të sjellë dëshmi se i ka kryer obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së. Afati i parë ishte më 10 gusht në orën 17:00, kur ishte afati i fundit për regjistrim të klubeve në ligat seniore, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë të hënën Bordi i FBK-së dha një afat shtesë për klubin pejan, deri të mërkurën në orën 17:00. Por në FBK nuk është deponuar ndonjë dëshmi që Peja ka kryer obligimet që ka ndaj këtij institucioni apo ndaj shtëpisë botërore të basketbollit.