Kampioni norvegjez e ka eliminuar Prishtinën nga Europa Conference Ligue. Të dy golat në këtë ndeshje i shënoi Erik Botheim (18, 78), gola këto që i dërguan norvegjezët në fazën e playoffit të garës më të re të Europës
Ëndrra e Prishtinës ka përfunduar në Norvegji sonte.
Djemtë e Zekria Ramadanit nuk kanë arritur që ta ruajnë avantazhin e ndeshjes së parë 2-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Qysh në fillim të pjesës së parë Bodo/Glimt sulmoi në drejtim të portës së Prishtinës duke e dominuar totalisht ndeshjen.
Goli i parë për norvegjezët erdhi në minutën e 18 të ndeshjes, kur Botheim shënoi një gol me kokë pas krosimit të Vetlesen.
Rezultati ka mundur që të dyfishohet që në pjesën e parë kur u akordua penallti për vendasit, një penallti shumë e çuditshme.
Por, për fatin e Prishtinës, goditja e Ber në minutën e 24 goditi lart topin.
Në pjesën e dytë Bodo/Glimt e filloi më mirë por nuk arriti që ta mposht Prishtinën deri në minutën e 78-të të ndeshjes.
Golin e shënoi përsëri i njëjti lojtar por kësaj radhe goditja e tij ishte me këmbë.
Prishtina pati mundësinë më të mirë për të barazuar në fund të ndeshjes, por goditja e Hotit u devijua dhe përfundoi në goditje nga këndi.
Kështu Prishtina i jep fund vazhdimit tutje në Europa Konferencë Ligë pas 8 ndeshjeve, 4 prej të cilave i luajti në Ligën e Kampionëve.