Federata e Notit e Kosovës ka mbajtur takim me sportistët e reprezentacionit të Kosovës që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian që është duke u zhvilluar në Budapest të Hungarisë. Në këtë takim kanë treguar për problemet e udhëtimit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i federatës, Astrit Haliti, tha se ky takim është thirrur për të diskutuar rreth detajeve të shkuarjes në këtë garë dhe sfidat që i presin atje.
“Këtë takim kemi thirrur lidhur me disa nga rregullat që duhet ditur në pjesëmarrjen në ato gara. Fatmirësisht nga këta 8 sportistë testi u ka dalë negativ, fatkeqësisht kemi pasur problem se nuk kemi mundur të shkojmë direkt në Hungari, dhe do nisemi nesër në ora 5 me minibus përmes Serbisë. Duhet respektuar rregullat dhe besoj që nuk do të kemi problem”, tha ai.
Në anën tjetër përfaqësuesi i këtij reprezentacioni trajneri, Ardian Hamiti, tha se shpreson që të përmirësohen rezultatet dhe të kenë një përfaqësim të denjë.
“Shpresoj që nga ky kampionat të përmirësohet rezultatet tona dhe të kemi përfaqësim të denjë”, tha ai.
Edhe Fatmir Mesini, Shefi i rrugës së këtyre garave tha se garojnë me një numër të madh të garuesve ku qëllimi kryesor është me iu dhënë mundësi.
“Në udhëtojmë me një numër të madh të garuesve dhe qëllimi kryesor është me iu dhënë mundësi të mirë këtyre sportistëve, sepse i dimë potencialet tona, krejt çfarë presim nga ta është që të kenë performancë të mirë”, tha Mesini.
Eda Zeqiri, 16 vjeçare do jetë pjesë e këtyre garave, e cila tha se kjo është mundësi e mirë për të dhe shpreson se do të ketë paraqitje të mirë.
“Synoj me pasë paraqitje sa më të mirë dhe do jem pjesëmarrëse në këto gara për me qenë sa më mirë”, tha ajo.
Sportistët në Budapest do të qëndrojnë nga data 15 deri më datën 23 maj.