Federata e Taekwondos e mbështet dënimin e trajnerit që shfaqi dhunë ndaj vajzës së tij garuese

Prishtinë | 12 Nën 2024 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Federata e Taekwondos e Kosovës e ka mbështetur dënimin e trajnerit që shfaqi dhunë ndaj vajzës së tij garuese.

Trajneri Valmir Fetiu u suspendua me gjashtë muaj, pas dhunës që ia bëri vajzës së tij, pas humbjes në finalen e Kampionatit Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë.

Kjo është komunikata e plotë e Federatës:

Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm.

Një nga përfaqesueset e ekipit të Kosoves ishte edhe sportistja Valina Fetiu e cila arriti të shpallet nënkampione në kategorinë e saj.

Gjatë garës finale të Valina Fetiut kundër përfaqësueses serbe Nina Saviç, ndodhi një incident që përfshiu atë dhe trajnerin e saj, i cili është njëkohësisht edhe babai i Valinës. Federata e Taekwondo-së së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Federatën Evropiane të Taekwondo-së, organizatoren e këtij kampionati, mori masa të menjëhershme për të adresuar incidentin dhe në koordinim të plotë në bazë të statutit dhe rregullores së etikës dhe diciplinës, vendosi pezullimin e trajnerit për një periudhë gjashtëmujore në të gjitha aktivitetet e zyrtare nga Taekwondo-ja Evropiane dhe ajo Botërore.

Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTWK dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive.

Ndërsa garuesen Valina Fetiu dhe të gjithë sportistët tanë Federata do ti mbeshtesë në të gjitha garat dhe proceset sportive në vijim, dhe jemi të bindur që do sjellin shumë suksese dhe medalje për shtetin tonë.

Me respekt, Federata e Taekwondo-së së Kosovës

Të ngjashme