Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim presidentin e Federatës Evropiane të Sportit Universitar, Adam Roczek.
Ministri Gashi tha se në takim biseduan për çështje të rëndësishme që kanë për qëllim ngritjen e infrastrukturës dhe objekteve sportive, si dhe rreth mbështetjes për strategjinë e re të sportit, raporton Ekonomia Online.
“Vizita e tij tregon mbështetjen që federata jonë ka dhe Kosova, duke marrë parasysh se institucionet janë bashkuar për Javën e sportit. Vizita e tij shënon këtë javë dhe ka për qëllim për të parë të arriturat si shtet. Është fat i mirë që Kosova ka Federatën e Sporteve Universitare. Jemi duke i mbështetur fuqishëm federatat”.
“Jemi me fat që tashmë bashkëpunimi me federatat evropiane vetëm po rritet. Për ne është moment i veçantë vizita e tij dhe besoj që bashkëpunimi ynë do të rritet më tej”.
Roczek u shpreh i kënaqur që viziton Kosovën, derisa theksoi se janë krenarë që Federata Kosovare e Sportit Universitar është anëtare e federatës evropiane.
Ai shtoi se janë në Kosovë edhe për të organizimin e një punëtorie e cila do të ndihmonte dhe këshillonte në zhvillimin e sportit nëpër universitetet kosovare, nga i cili përfitojnë studentët.
“Gjithashtu është e rëndësishme të përmendet se studentët nga Kosova që prej shumë viteve marrin pjesë në garat që ne organizojmë në ombrellën e EUSA-së dhe medalja e parë është fituar nga studentët prej Kosovës”.
“Nuk jam këtu vetëm. Sot me mua janë menaxherët e sportit të EUSA-së, Presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kroacisë, prof. Zimko Cistonja, pra nuk është vetëm një vizitë formale por ne do të kemi këtu në punëtori (workshop) në mënyrë që të ndihmojmë dhe të këshillojmë si të zhvillojmë sportin në universitetet e Kosovës për përfitimet e studentëve, për të mirën e shoqërisë në Kosovë”.
Kryetari i Federatës Kosovare të Sportit Universitar, Musa Selimi, tha se në takim kanë diskutuar rreth mundësisë së organizimit të një ngjarjeje të madhe sportive evropiane në Kosovë, raporton EO.
“Është shumë e rëndësishme ardhja dhe do të jete gërshetim i aktiviteteve tona. Kemi diskutuar rreth mundësisë së organizimit të një ngjarje të madhe sportive evropiane në Kosovë. Morëm mbështetje që në dy vitet e ardhshme të organizojmë një aktivitet”.