Vetëm dy pikë në çerekun e parë e nga dy të tjera në çerekun e dytë dhe të tretë. Pak më mirë në çerekun e katërt – gjashtë pikë.
Ky ishte kontributi në kosha i basketbollisteve të reja të Kosovës në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian, Divizioni B, që të premten nisi në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Kosova U-18 pësoi humbje shumë të thellë nga Sllovenia, me shifrat 97:12.
Kjo është humbja më e thellë që deri më tash e kanë pësuar përfaqësueset e Kosovës në basketboll në kampionate evropiane, shkruan sot Koha Ditore.
Sllovenia është vlerësuar favorite absolute për ndeshjen e luajtur të premten pasdite në qendrën sportive “Boris Trajkovski”. Por pakkush mund të ketë parashikuar një humbje kaq të thellë.
Në dhjetë minutat e parë të ndeshjes, lojtaret e Kosovës ia dolën të shënojnë vetëm dy pikë, ndërsa pranuan plot 25. Edhe më keq ishte çereku i dytë kur u pranuan 32 pikë, ndërsa sllovenet në çerekun e tretë u ndalën në 21 pikë. 19:6 për Slloveninë ishte çereku i fundit.