Roger Federer, mbreti i tenisit botëror, është rikthyer. Zvicerani pushtoi edhe Floridën, teksa fitoi Turneun Masters të Majemit, duke e çuar në 3 numrin e trofeve të këtij viti.
Ashtu sikurse edhe në Australian Open, Federer arriti të mposhtë në finale rivalin e tij të përjetshëm, spanjollin Rafael Nadal, me rezultatin 2-0. Sigurisht, në ndeshjet direkte spanjolli vazhdon të kryesojë 23-14, kjo për shkak të fitoreve në fushat me dhe. Në sfidat në fushat me sipërfaqe çimentoje është Federer ai që kryeson 10-9.
Në finalen e Majemit, ndeshja mund të kishte marrë tjetër rrjedhë nëse Nadal do të kishte shfrytëzuar mundësitë që iu dhanë për të fituar “game” me shërbimet e Federerit në setin e parë. Por, zvicerani, me klasin e tij, nuk e lejoi spanjollin që ta thyente dhe në “game”-n e 8 ishte ai që fitoi me shërbimin e Nadalit, për të mbyllur më pas këtë fraksion 6-3.
Në setin e dytë, Nadali arriti të kryesojë 4-3, por Federeri sërish iu kundërpërgjigj duke fituar 3 “game” radhazi, për të mbyllur edhe këtë fraksion në favorin e tij, këtë radhë me rezultatin 6-4, për të fituar këtë trofe të rëndësishëm, duke regjistruar fitoren e 19 për vitin 2017, ndërkohë që ka pësuar vetëm 1 humbje, atë me rusin Donskoy.
Kjo fitore e ngjit Federerin në vendin e 4 në renditjen ATP-së, ndërkohë që Nadali është i pesti. Në krye të këtij klasifikimi vazhdon të jetë Andy Murray, i ndjekur nga Novak Djokovic dhe Stan Wawrinka.
Pas përfundimit të finales së Majemit, Federeri deklaroi se do të marrë një periudhë pushimi dhe se do të kthehet në fushat e lojës në turneun e dytë Grand Slam të vitit, Roland Garros, në Francë.