Feja jonë jemi vetë ne, fati ynë është libri ynë i shenjtë

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 08:19 | Nga Nezir Kraki

Si Shqiptarë, shekujt i kemi kaluar n’luftë për mbijetesë. N’vuajtje gjithmonë kemi qenë të një feje sepse mbijetesën e kemi pasë sfidë të përbashkët. Edhe armiku gjithmonë na ka parë si të tillë, si një tërësi, prandaj na ka pasë frikën. Zotin e kemi ditë për Zot edhe pse kurrë s’jemi pajtuar me fatin që na kishte rezervuar si populli më i vuajtur i këtyre trevave. E kemi lutur me dhe pa libra fetarë, i jemi drejtuar sinqerisht në gjuhën tonë të bukur e të thjeshtë, shpesh edhe pa fjalë, pa udhëzime e predikime. Pavarësisht rrethanave, asnjëherë s’e kemi harruar gjestin e natyrshëm e njerëzor të shikimit nga qielli, nga ajo forcë e pashpjegueshme por e plotfuqishme. Kurrë s’jemi tallur me të.

Por…jetën mbi Tokë e kemi pasë jo të qetë, asnjëherë të rehatshme. Historisë kemi udhëtuar me barrën e traditës, kulturës, zakoneve e parimeve tona të mbledhura kujdesshëm ndër shekuj, herë duke i përmirësuar e përshtatur ato, herë duke i braktisur disa nga to kur i kemi parë si pengesë në rrugën e përparimit tonë. I jemi gjetë njëri-tjetrit aq sa e mundur ka qenë.

Kemi ardhë në shekullin e XX-të me kujtesën kolektive të mbushur me festa e me rituale sa pagane aq edhe fetare. Kemi ndarë çdo gëzim e hidhërim bashkë, qoftë n’Bajram, n’Krishtlindje, n’Ditën e Verës apo n’Darkën e lamës. Çdo datë të shenuar e kemi pritë me haré dhe e kemi përdorë si energji bashkimi pikërisht në luftën tonë për mbijetesë dhe në rrugëtimin tonë të përmotshëm drejt lirisë.

Me fjalë tjera, armiq kurrë s’i kemi pasë fetë, as kultet, as paganizmin. Kurrë luftë fetare s’kemi bërë. Prej që jemi këndejpari armiq i kemi pasë pushtuesit e të gjitha feve.
Hoxha e prifti kanë qenë pjesë e odave dhe e pleqnive, kanë qenë pjesë e luftës sonë të përbashkët. Kanë qenë pjesë e frymës kolektive të mosnënshtrimit ndaj pushtuesve.


Në vitin 1995, një orë e madhe letrare organizohej në Junikun tim nga Baca im me disa shokë atdhetarë, nën terrorin serb kuptohet. Dhe a e dini ku u mbajtë ajo orë? Në xhaminë e dytë të Junikut që ne e quajmë Xhamia e Çokit, sepse xhamitë e kishat tona ishin pjesë e luftës sonë për liri, për vetdije. S’e harroj kurrë imazhin kur desh u rrëzua ballkoni i brendshëm i xhamisë, aq shumë njerëz kishin ardhë atë ditë. Atë ditë, në xhami këndoheshin e kujtoheshin veprat e Fan Nolit, Fishtës; nderohej kontributi kombëtar i Luigj Gurakuqit, i vëllëzërve Frashëri etj… Atë ditë në xhami recitoheshin vargje kreshnike për lavdinë e Skënderbeut derisa në sfond, në përcjellje të recitimeve, dëgjoheshin këngë si « Thrret Prizreni mori Shkodër » apo edhe « Bashkpunetorë dojna me ik, shkoi Fan Noli n’Amerikë… ».


Nuk dua të keqkuptohem kur shkruaj me ironi rreth çoroditjes teokratike që po i ndodhë Turqisë nën impulset e pavetdijshme të një lideri megaloman. Nuk da të keqkuptohem as kur shkruaj modestisht rreth disa problematikave me doza fetare. Në ASNJE rast nuk ka te unë urrejtje apo dashakeqësi ndaj cilësdo fe, apo cilitdo person që praktikon fetë. Halli im i parë është fati ynë si vend, si shtet, si komb. Prandaj mendoj se feja jonë e përbashkët jemi vet ne, dhe fati ynë duhet të na udhëzojë në sjelljet tona. Ju garantoj që e di çka thonë Kurani e Bibla, s’ka nevojë t’ma kujton askush. E di që praktikat tona dhe festimet tona kurrë s’janë përputhë 100% me udhëzimet fetare. A e dini pse s’janë përputhë? Se asnjë libër, sado i shenjtë të ketë qenë ai, asnjë udhëzim fetar, nuk mund të na sqarojë neve si popull rrugëtimin tonë historik me aq shumë tradita e rituale, me aq shumë vuajtje, me aq shumë kombinime dhe me aq shumë harmoni. Feja jone e vërtetë jemi vet ne, të gjithë së bashku, me krejt çka kemi n’zemer dhe n’kujtesë.

Prandaj edhe Bajramat dhe Krishtlindjet i kemi parë gati si festa jofetare sepse vetëm ashtu i kemi perceptuar si festa të të gjithëve, pa dallime kulti. Dhe pikërisht kjo ka bërë që festat e tilla t’i rezistojnë kohës e të jenë momente gëzimi edhe n’familjet pa asnjë praktikë fetare strikte.


ps: E ripostova këtë tekst me disa plotësime si formë sqarimi ndaj keqkuptuesve të mundshëm të shkrimeve të mia. Kur shkrova se Erdogani për neve e shtron rrugen e xhenetit ndersa për serbet veç rrugën, disa e morren si sulm ndaj atyre që besojne ne Zot dhe që praktikojne islamin. Larg qoftë të gjendet në trupin e mendjen time ndonje dozë urrejtje apo përçmimi për arsye të besimeve, që tekefundit jane çeshtje personale dhe të brendshme të secilit individ.
Po e përsëris, halli im është fati ynë dhe përpjekja ime është në përmirësimin e ketij fati ose të pakten menaxhimin e drejte te tij.

Të ngjashme