Fejza thotë se liberalizimi i vizave dhe avancimi drejt pranimit në KiE janë rezultat i Qeverisë Kurti

Prishtinë | 25 Pri 2023 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se liberalizimi i vizave dhe miratimi i Këshillit të Evropës për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm, duhet t’i atribuohen mirëqeverisjes së Qeverisë Kurti.

Njëherit, Fejza pretendon se Kosova tanimë është në fazën e dytë për kthimin në normalitet në veriun e vendit.

“Unë besoj që jemi në fazën e dytë tashmë për kthimin e tërësishëm në normalitet në veriun e Kosovës. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë që çështja e përgjithshme e sigurisë dhe çështjet e tjera, në veri kanë qenë normale deri tani. Hapat në vazhdim do të përcaktohen ditëve të ardhshme. Sa i përket çështjes së dialogut, Kosova ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme. Edhe çështja e liberalizimit të vizave edhe çështja e Këshillit të Evropës duhet t’i atribuohen sukseseve të cilat i ka pasur Kosova në dikastere-fusha të ndryshme, pra falë mirëqeverisjes”, deklaroi Fejza në tëvë1.

Mirëpo, Fejza vlerësoi se në çështjen e KiE, Kosova ka pasur nevojë t’i përmirësoj patjetër disa elemente, përcjell teve1.info.

Fejza foli edhe për pritshmëritë e takimit të 2 majit në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Është e vështirë për t’u thënë se do të ketë nënshkrim për deklaratën e të pagjeturve, duke parë këtë konstruktivitet të Serbisë në veprimet e tjera. Pala jonë sigurisht që do të insistojë edhe për palën e të pagjeturve”, theksoi tutje Fejza.

Ndryshe, deputetja e VV-së, tha se presin nga ndërmjetësuesit e dialogut të kenë qasje të njëjtë ndaj të dyja palëve.

“Kosova e ka dëshmuar që u rri mbrapa të gjitha dakordimeve që i bën. Ne tani presim që edhe ndërmjetësuesit e dialogut t’i kenë parasysh edhe pozicionin e Kosovës edhe atë të Serbisë në raport me dakordimet të cilat janë bërë”, shtoi tutje ajo.

Të ngjashme