Mbrojtja e mjedisit, promovimi i bukurive natyrore të Kosovës, bashkëjetesa dhe toleranca fetare, të gjithë këto janë gërshetuar në ekspozitën e titulluar “Bashkëjetesa Natyrore dhe Kulturore në Kosovë’, e cila është hapur më 3 korrik në Muzeun e Kosovës. Kësaj ekspozite i janë shtuar edhe piktura nga festivali i fëmijëve të diasporës, raporton EkonomiaOnline.
Organizatorja e ekspozitës “Vendlinja ime”, Elvira Shyti Kasapolli tha se pjesëmarrës të kësaj ngjarje ishin 10 fëmijë nga Kosova dhe vendet e tjera, ku në bazë të temës për mjedisit do të punohet edhe vizatimi i tyre.
“Kjo është ekspozitë e organizuar në kuadër te festivalit të fëmijëve të diasporës e cila ka filluar nga dje, në kuadër të këtij festivali ka qenë edhe ekspozita ku kanë marrë pjesë 10 fëmijë nga Kosova dhe diaspora, kjo ekspozitë është mbajtur dje në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ ndërsa sot është ekspozuar këtu. Në kuadër të kësaj është organizuar edhe një workshop ku flitet për mjedisin ku bashkëpunëtorë e kemi edhe Ministrinë e Mjedisit dhe në kuadër të kësaj fëmijët punojnë temën”, tha ajo.
Albiona Zeka, nxënëse në shkollën e gjuhës shqipe në Itali, tha se përmes këtyre punimeve është treguar se sa ndotet mjedisi dhe si duhet kujdesur për të.
“Aq shumë që është ndotur bota, edhe na po duam ta pastrojmë atë. Po duam të ju tregojmë që duhet ta mbajmë pastër botën”, tha ajo.
Edhe Marigona Zeka thotë se mjedisin ku jetojmë dhe veprojmë duhet ruajtur.
“Në punimin tim kam bërë që krejt pemët i marrin me ndërtua shtëpia dhe qesin tym e shkatërron botën dhe tani ato kafshët thonë mos ma shkatërroni botën, mos me prishë natyrën”, tha ajo.
Drejtoresha fondacionit “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli tha se gjatë kësaj periudhe shumë vizitorë përmes këtyre pikturave kanë mundur të shohin Kosovën e bukur me një mjedis që secili e dëshiron.
Po ashtu ajo tha se përmes këtyre punimeve do të bëhet vetëdijesimi për ruajtje të mjedisit, ndërsa shtoi se këto punime do të ruhen në ambasada dhe në Kosovë.
“Kjo i është kushtuar natyrës dhe bashkëjetesës në punimet e fëmijëve. Ne dëshirojmë që të kemi një mjedis të mirë dhe të gjelbër për fëmijët. Të jetë e përfshirë për të gjitha gjeneratat për fëmijët e vegjël dhe të rriturit. Këto fotografi janë paraqitur edhe në qytete të tjera. Të gjithë qytetarët erdhën se bashku. Kështu ju mund te shihni ndërtesa të bukura. Të gjithë që kanë vizituar këtë vend kanë mundur të shohin bukurit e Kosovës. Këtu mund të shihni shumë 60 punime te ndryshme të sjellura nga Italia dhe Zvicra dhe tash këto që do të bashkëngjiten edhe 10 punime të fëmijëve nga diaspora”, tha ajo.
Ekspozita “Bashkëjetesa Natyrore dhe Kulturore në Kosovë”, vjen nga bashkëpunimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe fondacioni “Ibrahim Kodra” nga Zvicra, dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri më 2 gusht në Muzeun e Kosovës.