“Epidemia e heshtur” e sulmit në tru godet më shpesh femrat. Sipas të dhënave botërore, në çdo 10 vdekje nga goditjet në tru, 6 ndodhin te gratë, kryesisht në moshë më të shtyrë.
Kur ndërpritet qarkullimi i gjakut në tru, vjen edhe sëmundja e tmerrshme, ndërsa qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese. Ky dëmtim mund të jetë minimal, por edhe ekstrem, duke sjellë pasojat fatale për jetën.
Sipas mjekësve, miliona qeliza vdesin në tru çdo minute, në momentet që goditja mbetet e patrajtuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se çdo vit vdesin 3.3 milionë femra nga këto goditje, ndërsa vdekjet nga ky shkak rezultojnë në shifrën 6 milionë persona në vit.
Shkaqet e pazakonta
Janë të shumtë faktorët që ndikojnë për shfaqjen e sëmundjes te femrat. Sidomos te ato që janë në moshë të madhe, sëmundje të tilla si hipertensioni, diabeti, fibrilacioni atrial, apo faktorë të tjerë personalë të riskut si presioni i lartë i gjakut, yndyrnat në gjak janë disa nga faktorët e rrezikshëm. Por faktorë të pazakontë që mund të sjellin si pasojë goditjen në tru janë migrena, depresioni dhe së fundmi edhe obeziteti. Madje, mjekët bëjnë me dije se faktorë të tjerë te gratë, janë të lidhura me gjininë, si ndryshimet e hormoneve që ndodhin në moshë të thyer, apo diabeti gjatë shtatzënisë.
Edhe meshkujt mbeten të rrezikuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila bën me dije se 1 në 6 persona është në rrezik për insult cerebral. Çdo sekondë mund të jetë i rrezikuar një i rritur ose fëmijë, burrë ose grua dhe goditja në tru, është shkaktari kryesor, në rreth 65% të rasteve, për aftësitë e kufizuara në botë.