Shoqata Humanitare “Feniks” nga Ferizaj, shumë shpejt do të fillojë ndërtimin e një objekti për 6 familje nga Shqipëria, të cilëve tërmeti ua shkatërroi shtëpitë.
Drejtuesi i kësaj shoqate thotë se këtë po e bëjnë me përkrahjen e bizneseve dhe vullnetmirëve ferizajas, bashkë me të cilët deri tash kanë bërë me shtëpi 252 familje.
Dridhjet e tërmetit 6.4 shkallësh që goditi Shqipërinë të martën e 26 nëntorit, u ndien edhe në Kosovë. Këto dridhje shkatërrimtare që prishën shtëpi e banesa dhe i morën jetën mbi 50 personave, mobilizuan kosovarët gjithandej për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Ndihmë për Shqipërinë do të japë edhe Shoqata “Feniks”, e cila sipas kryetarit të saj, Milaim Jashari, do të ndërtojë një objekt, ku do të vendosen disa familje.
“Në këtë objekt do të strehohen 6 familje. Do të ndërtohet në Thumanë ose diku tjetër. Vendin do ta caktojnë ata, e ne vetëm do të ndërtojmë objektin tre katesh. Familjet do të përzgjidhen nga Shqipëria, sepse ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë më së tepërmi. Unë besoj se shpejt do të fillojmë punën dhe se Shoqata “Feniks” me popullin solidar të Ferizajt do t’ia dalë në fund ndërtimit të objektit ku do të strehohen 6 familje, me të gjitha të mirat”, tha ai.
Ai ka treguar për Radio Kosovën se në ditën kur ndodhi tërmeti, bashkë me Maketin “Eli Ab”, u zotuan për ndërtimin e shtëpive për dy familje. Falë ndihmës së firmave “Lala”, ‘Maksiti” dhe “Dini” dhe ndihmës së disa qytetarëve, “Feniks” mund të rehatojë 6 familje, shton Milaim Jashari dhe thotë se do bëhen punime të mira.
“Punimet do të bëhen të mira e jo shkel e shko. Do të shkojmë me inxhinierë dhe do t’ia dalim në fund këtij ndërtimi faqebardhë, me këta donatorë që kanë qenë gjithherë afër nesh. Por, besoj se do të kemi edhe donatorë të tjerë, sepse ne, për pesë familje i kemi mjetet, por na duhen edhe për familjen e gjashtë”, tha ai.
Secila nga gjashtë familjet të cilave do t’u zgjidhet problemi i banimit, do të kenë sallon e kuzhinë dhe nga dy dhoma. Kryetari i Shoqatës “Feniks” thotë se këtë plan dhe gatishmërinë për ndihmë do t’ia shpalosë ambasadorit shqiptar në Prishtinë.
Kjo shoqatë, këtë vit ka ndërtuar 16 shtëpi, ndërkohë nga themelimi e deri tash 252 sosh, prej të cilave dy në Shqipëri.