Emerson Junior de Lima, i njohur si Dentinho është një prej tre brazilianëve te skuadra e Feniksit, që sot (e mërkurë) do të nisë garimin në turneun e “Main Round” (raundi i dytë) të UEFA Futsal Cup, në Prishtinë.
Të tre brazilianët konsiderohen përforcime të rëndësishme për Feniksin.
Dy të tjerët janë Jonathan Luiz Cesar De Angelis e Alan Jefferson De Lima Soares, por falë përvojës së madhe të Dentinhos në futsallin e Evropës, te Feniksi mendojnë për kalim të këtij raundi. Në turneun që nis sot – grupi 4, marrin pjesë gjigantë të futsallit evropian.
Pos kampionit të Kosovës është edhe Sportingu i Portugalisë, Kairat Almaty i Kazakistanit dhe LSM Lida e Bjellorusisë.
35-vjeçari brazilian për më shumë se një dekadë luan futsall në Evropë dhe shpreson ta ndihmojë Feniksin të futet në mesin e 16 ekipeve më të mira, sukses që e pati arritur skuadra nga Drenasi para dy vjetësh kur debutoi në këtë garë.