Kreu i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka takuar sot banorët e Reçanit dhe të fshatrave të tjera rajonit të Zhupës së Prizrenit, për të diskutuar për shqetësimet e tyre në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zone dhe ndikimin e tyre në mjedis.
Shala i ka falënderuar banorët e kësaj zone për kujdesin që kanë treguar ndaj natyrës në këtë pjese të Kosovës dhe i ka siguruar ata në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të MMPH-së, se nuk do këtë vazhdim të punës në ndërtimin e hidrocentraleve pa konsultim me banorët e këtyre fshatrave dhe pa u siguruar se ndërtimi i tyre nuk e dëmton natyrën e asaj zone.
“Ky takim ka për qëllim të dëgjojmë zërin tuaj…Ju themi se asnjë vendim nuk do të implementohet pa pajtueshmërinë e këtij rajoni. Ne do të gjejmë gjuhë të përbashkët në interesin tuaj. Në emër të Ministrisë dhe Qeverisë ju them se asgjë nuk preket pa pëlqimin e juaj”, iu tha ai, qytetarëve të mbledhur në fshatin Reçan.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, në këtë takim shoqërohej dhe nga sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, Arben Çitaku; kryeinspektori Bedri Halimi, dhe deputetja e kësaj ane, Emilija Rexhepi.
Më herët gjatë vitit, MMPH-ja ka dhënë pëlqime për ndërtimin e tri mini-hidrocentraleve në Lumëbardhë dhe në degët e tij, në lokalitetet e rajonit të Zhupës në Prizren. Por, banorët kanë thënë se “nuk i japin lumenjtë e tyre” dhe se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve e dëmton këtë rajon, të njohur mes tjerash edhe për restorantet e shumta përgjatë Lumbardhit.
Përfaqësuesit e banorëve theksuan se sipas ligjit, në mjedisin ku planifikohet ndërtimi i hidrocentraleve është dashur të mbahen paraprakisht debate publike me qytetarët e asaj zone.
Në një prononcim për medie, pas takimit, Shala tha se është i kënaqur me atmosferën dhe me gatishmërinë e deputetes Rexhepi dhe të qytetarëve të kësaj ane që të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe zgjidhja më e mirë e mundshme që ky rajon mos të dëmtohet në asnjë formë, qoftë në infrastrukturë, qoftë në mjedis.
“Jemi plotësisht dakord që çdo plan dhe çdo veprim të bëhet në harmoni të plotë me komunitetin. Jemi shumë të bindur qe hapat e mëtutjeshëm do të shqyrtohen dhe që asnjë veprim nuk do të bjerë ndesh me qëndrimet dhe interesat e komunitetit. Ne jemi që të koordinohemi dhe të vazhdojmë më tutje drejt interesave të përbashkëta”, u shpreh Shala.