Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme, e cila sipas raportimi të Dukagjinit ka të bëjë me miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka folur lidhur me këto zhvillime në Kuvend.
Shala i tha Periskopit se në rrethana të tilla nuk ekzistojnë kushte ligjore që Kuvendi i Kosovës të miratojë buxhetin, pasi mungojnë mekanizmat funksionalë që e shqyrtojnë dhe e procedojnë atë. Derisa shtoi se nuk ka asgjë zyrtare ende.
“Zyrtarisht ende nuk kemi asnjë informacion, ajo çfarë mund të them për buxhetin është që legjislacioni është i qartë dhe ne duhet ta respektojmë legjislacionin, në asnjë rrethanë nuk ka kushte që ky Kuvend pa organe përcjellëse, pa komisione funksionale, pa pasur mekanizëm funksional, ligjor që e shqyrton buxhetin nuk mund të kalojë buxheti…”, tha Shala.
Ai theksoi se përpjekja për ta proceduar buxhetin në këtë periudhë është, sipas tij, një manovër politike e qeverisë në prag të zgjedhjeve lokale.
“…Prandaj rekomandimi im personal është që kjo mundësi dhe kjo zhvatje është vetëm një lojë politike në prag të zgjedhjeve lokale që qeveria Kurti po mundohet të manipuloi me elektoratin në emër të asaj që unë tash po du me e bë buxhetin. Pra nuk ka mundësi të planifikohet buxheti nga një qeveri që është qe 9 muaj pa mandate…”, i tha ai Periskopit.
Shala shtoi se qeveria aktuale nuk ka dhënë asnjë raport për shpenzimet e buxhetit në fuqi dhe për këtë arsye nuk mund të hartojë një të ri.
“..Si ka mundësi me ardhë buxheti nga ministrat që janë edhe deputet edhe ministra, pra në këtë relacion buxhetin që po e harxhojmë këtë vit ka gjashtë muaj, nëntë muaj që askush asnjë shkronjë nuk e ka dhënë në raport për shpenzimet e buxhetit aktual, e lëre më që ky mekanizëm në shkuarje të hartojë buxhet për vitin e ardhshëm. Pra janë harxhuar 3.5 miliard të këtij viti pa dhënë asnjë llogari, e tash po don me e planifiku 3.5 miliardshin për vitin tjetër, kjo nuk bën të kaloi kështu…”, theksoi Shala.
Në fund, deputeti i PDK-së tha se zgjidhja e vetme ligjore në këtë situatë është vazhdimi me 1/12’së së buxhetit deri në formimin e institucioneve të reja.
“…E vetmja mundësi është që 1/12 e buxhetit sipas legjislacionit të vazhdojë vitin e ardhshëm edhe atë nëse nuk ka zgjedhje në dhjetor, nëse ka zgjedhje duhet përsëri një vendim i Kuvendit për një muaj eventualisht sipas legjislacionit në fuqi të vazhdojë, por rrethanat tjera janë krejtësisht të paligjshme dhe nuk besoj që do të kalojnë në Kuvendin e Kosovës.”, tha ai.