Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, sekretari i përgjithshëm i LDK-së u shpreh së pritet të ndodhë ushtrimi i votës së fshehtë, që sipas tij është ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike, raporton Ekonomia Online.
“Pritet të ndodhë ushtrimi më i mirë i një të drejte demokratike, vota e fshehtë në raport me mocionin që e kanë ngritur për shkarkim pjesa e delegatëve iniciues, të cilët e kanë plotësuar kushtin statutar për me thirrë një Kuvend të tillë, i cili është këtu domethënë afat rekord prej kryesisë së partisë, duke respektuar normat statutore, pa e konsumuar në tërësi afatin prej 60 ditësh, po në ditën e 15-të Kuvendi veç po mbahet. Të gjitha organizimet teknike veçse janë përfunduar. Tash presim prej orës 6 me ardhë prezenca e delegatëve dhe me i zhvilluar punimet e Kuvendit. Kuvendi mbahet me një pikë të rendit të ditës, qysh e kanë ndërtuar kërkesën edhe edhe iniciuesit edhe nënshkruesit e kërkesës”, tha ai.
I pyetur se a do të jetë debat i hapur, Ferati u shpreh se sigurisht, pasiqë sipas tij LDK është shtëpi e debatit demokratik.
“LDK-ja është shtëpi e debatit demokratik e politik, sigurisht që debati do të jetë i hapur”, u shpreh ai.
Ferati pret që Kuvendi të rrjedhë në mënyrë demokratike, ku kjo tashmë është një frymë e demokracisë që po kultivohet nga LDK tash e sa kohë.
“Absolutisht po. Kuvendi është mekanizëm demokratik i zgjidhjes së mendimeve të ndryshme, të cilat ballafaqohen përmes argumentit, debatit dhe normalisht në fund konstatohen përmes shumicës demokratike që është vota e fshehtë në kuti, për të cilën LDK-ja tash e sa kuvende veç po e kultivon si frymë të demokracisë dhe formë të zgjidhjes së vendimeve kur ka mendime të ndryshme”, tha ai.
I pyetur se a do të jenë më shumë vota pro apo kundër, Ferati e shmangi pyetjen, duke thënë se qëndrimet e tij janë të qarta.
“Tani mendoj që është pyetje sugjestive. Edhe mendoj që përgjigja ime mundet me qenë subjektive. Konsideroj që tash ka pak kohë ose orë me thënë të drejtën deri sa kur Kuvendi konstaton me votën e fshehtë, kështu që nuk besoj që ka nevojë me u përgjigj, përndryshe qëndrimet e mia kanë qenë të qarta tash e sa kohë”, shtoi Ferati.
