Ferizaj dhe Gjilani gjatë sezonit së verës janë përballur me mungesë të ujit të pijshëm. E kjo situatë po vazhdon edhe më tutje, ndërsa Kompania e Rajonale e Ujësjellësit – Gjakova, ka treguar vullnet për t’u dal në ndihmë.
Megjithatë, “Hidromorava” nga Gjilani dhe “Bifurkacioni” nga Ferizaj, nuk kanë treguar interesim për të pranuar ndihmën nga KRU “Gjakova” .
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Ismet Ahmeti në një prononcim për EkomiaOnline, ka treguar se kanë kapacitet për të furnizuar me ujë këto dy komuna.
“Shkresa na ardhur në kompaninë KRU ‘Gjakova’ dhe ne e kemi marrë këtë vendim sepse kemi ujë të mjaftueshëm, menaxhimi është shumë i mirë. Kemi marr masa më herët, që liqeni ka ujë të mjaftueshëm dhe 1200 litra në sekondë i kemi në prodhim të ujit të pijshëm. Kështu që mbi 40 mijë konsumatorë që i kemi, kanë 24 orë ujë dhe tepricën i kemi 500 litra në sekondë që mundemi me i furnizua këto dy qytete. Por arsyeja është transporti i autocisternave që nuk i kemi dhe kështu ua kemi dërgua me shkrim që transportin këto dy kompani ta bëjnë vet, dhe për hir të qytetarëve e themi që ujin ua japim pa kompensim”, ka thënë ai.
Por, përkundër vullnetit dhe mundësisë së ofruar për furnizim me ujë të pijshëm, këto dy kompani ende nuk i kanë kthyer përgjigje KRU ‘Gjakovës’ nëse do të sigurojnë autocisternat.
“Nuk na kanë kthyer përgjigje. Ne ua kemi dërguar shkresën që mundemi me i mundemi me i furnizua këto dy komuna, kështu që nuk na ka ardhur ende ndonjë shkresë që do ti furnizojnë qytetarët me ujë”
Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, ka treguar edhe për gjendjen në këtë kompani, që po del të jetë shumë e mirë.
“Gjendja në kompaninë KRU ‘Gjakova’ është shumë e mirë, ne qytetarët tonë i kemi 24 orë me ujë të pijshëm dhe faturimin e kemi 98%, kurse humbjet që i kemi i kemi 42% dhe asnjëherë nuk ka qenë më mirë, por po shpresojmë që çdo vit të jetë edhe më mirë”, ka thënë ai.
Gjilani po përballet me mungesë të ujit të pijes dhe me reduktime, ndërsa është paralajmëruar se furnizim me ujë do të ketë vetëm edhe në dy muajt e ardhshëm.