Ferizaj: Dyshohet për mashtrim milionësh me prona, një person ndalohet për 48 orë

Prishtinë | 02 Pri 2026 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të reja hetimore në kuadër të një rasti të dyshuar për krime ekonomike dhe korrupsion. Sot, më 2 prill 2026, njësitet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë intervistuar një person me inicialet B.L. (1990), në cilësinë e të dyshuarit.

Sipas policisë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”.

Hetimet tregojnë se të dyshuarit dyshohet se kanë falsifikuar dokumente identifikimi dhe certifikata pronësie të një pale ankuese, duke arritur që në mënyrë të kundërligjshme të tjetërsojnë një pronë prej rreth shtatë hektarësh në komunën e Ferizajt. Vlera e përafërt e kësaj prone llogaritet rreth 3 milionë euro. Më pas, prona dyshohet se është parcelizuar dhe shitur tek persona të tretë.

Në bazë të një urdhri për kontroll, policia ka realizuar bastisje në një lokacion, ku janë sekuestruar një telefon mobil dhe dokumente relevante për rastin.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, lidhur me të njëjtin rast, më 19 shkurt 2026, Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se në bashkëkryerje kanë qenë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit dhe garantimin e sundimit të ligjit në vend.

Të ngjashme