Ferizaj deri më tani ka numrin më të madh të të prekurve me Coronavirusi me 91 raste të konfirmuara.
Kryetari i kësaj komune Agim Aliu, në një bisedë telefonike për Ekonomia Online ka thëne se gjendja e të infektuarve është e mirë dhe vetëm katër nga ta po trajtohen në klinikën infektive kurse të tjerët janë në trajtim shtëpiak.
“Numri total i të prekurve me COVID-19 në komunën tonë është 90, katër prej tyre po trajtohen në Klinikën Infektive pjesa tjetër është në trajtim në shtëpi në vetizolim. Të gjitha janë raste kontakti me kolegët dhe familjarët e tyre që punojnë në Kampin Bondsteel, vetëm tri raste kemi që janë raste kontakti me familjarë në Topanicë të Kamenicës”, ka thënë Aliu.
Aliu ka bërë të ditur se sot presin rezultatet edhe për disa persona të tjerë.
I pari i Ferizajt, bëri të ditur se ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që ky qytet të hiqet nga karantina.
Aliu ka kërkuar që Ferizaj të hiqet nga karantina për arsye se janë në praktikë masat e MSh-së dhe logjikshëm një qytetar ka kohë një orë e gjysmë dhe askush nuk mund të udhëtojë për Prishtinë.
“Kam kërkuar të largohet prej karantinës, sepse praktikisht dhe logjikisht nuk ka nevojë me funksionu karantina, për shkakun se masat dhe veprimet e reja që janë marrë dhe që kërkojnë që qytetari në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit të ketë 1 orë e gjysh në dispozicion, ai nuk ka mundësi që të dalë jashtë Ferizajt për një orë e gjysmë”, tha Aliu.
Ai është shprehur se arsyeja e dytë është se policia nuk ka kapacitete për ta mbajtur karantinë.
“Për shkak se po shfrytëzohen edhe rrugët kolaterale dhe policia po ka mungesë të resurseve. Arsyeja tretë është se në rast se hiqet karantina këto resurse policore që janë të vendosura në pikat e kontrollit në hyrje dhe dalje të Ferizajt mund të përdoren me qëllim te mbikëqyrjes dhe vëzhgimit të personave të cilët janë në vetizolim edhe të personave të prekur me COVID-19”, tha Aliu.
Aliu shtoi se Policia në Ferizaj nuk ka kapacitet me përballu karantinën, dhe se shpreson që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do ta marrë parasysh kërkesën e tij.