Ferizaj mbyll tregjet nga frika e përhapjes së Coronavirusit

Prishtinë | 13 Mar 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Të premtën i pari i Ferizajt, Agim Aliu mblodhi gjithë krerët e përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, kujdesit social e shëndetësor, klerin fetar, përfaqësuesit e komuniteteve, shoqërisë civile, drejtuesit e përfaqësuesit e shkollave dhe Këshillit të Prindërve e institucione tjera shoqërore pjesë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, për t’i kumtuar masat e qeverisjes së tij të ndërmarra këto ditë, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 apo i njohur si CoronaVirus-i.

Ai njoftoi të pranishmit se Komuna e Ferizajt, është mobilizuar në nivelin më të lartë për t’i dal në mbrojtje shëndetit të qytetarëve. Me radhë ai vuri theksin tek disa nga masat që janë marrë për këtë qëllim ku pas ndërprerjes së procesit mësimor, është bërë furnizimi i shkollave me materiale shtesë higjienike dhe materiale mbrojtëse, përgatitja për fillimin e dezinfektimit të objekteve shkollore, mbajtja e orës së parë të mësimit për vetëdijësimin për dëmet e rreziqeve nga ky virus. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi gjithashtu se javë më parë janë dërguar ekipe shëndetësore në pikën kufitare të Hanit të Elezit, është bërë shtimi i kujdestarive në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe qendrat e mjekësisë familjare, janë furnizuar me material mbrojtës stafi shëndetësor, janë furnizuar me material hjgjienik shtesë, instuticionet e Kujdesit Shëndetësor, është bërë ndërprerja e përkohshme e vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë, janë anuluar të gjitha aktivitetet me pjesëmarrje të gjerë të publikut si në kulturë, rini dhe sport, ka filluar e po vijon dezinfektimi i hapësirave të objekteve të kujdesit shëndetësor e të tjera ndërtesave publike, është vendosur reduktimi i përcjellësve familjar të pacientëve e të tjera. Në fushën e furnizimeve për konsum me produkte, i pari i Ferizajt, njoftoi se është kryet kontrolli në veprimtari afariste i rasteve të denoncuara për rritjen apo mashtrime me çmime për produktet bazë dhe të tjera. Është evidentuar rritja e çmimeve sidomos në preparate higjienike e sidomos në farmaci. Rritja e produkteve ushqimore është diku në shkallën 6% sesa çmimi paraprak. Gjithashtu, Janë urdhëruar bizneset e veçanërisht ndërmarrjet transportuese që të bëjnë dezinfektimin e mjeteve e hapësirave të punës, janë kryer inspektime edhe të mullinjve dhe depove të tyre, si dhe inspektorët janë në monitorim të vazhdueshëm të bizneseve që ofrojnë produkte konsumi.

Në këtë mbledhje u njoftua se koordinator lokal për përballimin e këtij virusi dhe zbatimin e masave mbrojtëse është caktuar drejtori i DShMS-së, Bekim Ademi.

Këto masa u mbështetën fuqishëm nga të pranishmit duke e përgëzuar qeverisjen lokale për mobilizimin lidhur me këtë virus. Në këtë mbledhje, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu propozoi që konform masave mbrojtëse nga ky virus, të mbyllen tregjet, përkatësisht të ndalohet zhvillimi i tregut të kafshëve në Dardani e Muhoc, Tregu i Gjelbër dhe i automjeteve, deri në një njoftim të dytë, monitorimin e së cilës masë do ta bëj Inspektorati i Komunës.

Ky vendim u mbështet nga të pranishmit unanimisht dhe qysh nesër nis së zbatuari në gjithë territorin e Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme