Komuna e Ferizajt për momentin është komuna me më së shumti të infektuar me COVID-19 në Kosovë.
Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë mori vendim që ky qytet të futet në karantinë, por një gjë e tillë sipas kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu nuk është më e nevojshme.
I kontaktuar nga Indeksonline, Aliu tha se vetë fakti që ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar masën e qarkullimit do të thotë se asnjë qytetar i Ferizajt nuk mund të shkojë në ndonjë qytet tjetër e të kthehet për një orë e gjysmë. Aliu madje tha se situata për momentin është e menaxhueshme.
“Situata është e menaxhueshme, numri i rasteve nuk flet për atë që Ferizaj është jashtë kontrollit, është situatë e menaxhueshme.
Shtabi Emergjent e kanë gjithë situatën nën kontroll dhe dje kam komunikuar me shumicën e familjarëve të të prekurve me COVID-19 dhe gjendja e tyre në përgjithësi është e mirë. Ka komunikuar edhe me dy pacientë të cilët janë në Klinikën Infektive në QKUK dhe gjendja e tyre është e mirë. Kam komunikuar edhe me familjarë dhe me pacientë me COVID pozitiv dhe gjendja e tyre është mjaftë mirë, këtë e thonë edhe personeli mjekësor të cilët komunikojnë në baza ditore”, tha Aliu.
Sipas tij, numri më i madh i të infektuarve kryesisht janë kolegë të punës së kampit Bondsteel dhe familjarë të tyre.
“Deri tash ky numër që është 90 në Ferizaj, tri raste që i kemi, kishin të bënin me fshatin Topanicë të komunë së Kamenicës dhe janë raste që e kanë burimin prej këtyre kolegëve të punës në Bondsteel. Ky është caku i të infektuarve në Ferizaj. Ajo çka ne kemi kërkuar nga institucionet shëndetësore është mbështetja mjekësore, maska e gjëra të që kërkohen nëpër QKMF-të. Ministria e Shëndetësisë e ka miratuar këtë kërkesë dhe një pjesë e këtyre mjeteve mjekësore ka edhe në Ferizaj.
I kam kërkuar ministrit që të vazhdojë kjo mbështetje edhe nën masën tjetër të miratuar nga ministria, kërkesë tjetër që i kam bërë ministrit Vitia dhe që është pajtuar është që të funksionalizohet një objekt që ne e kemi të IKSHPK-së, në Ferizaj ku ai është i gatshëm përpos shtretërve që duhen në aspektin mjekësor. Kjo do të na shërbente shumë pasi kemi një numër të madh në Ferizaj, por edhe në komunat fqinje si Shtime, Han i Elezit dhe Vitia, ku edhe po shtohet numri”, shtoi Aliu për Indeksonline.
Tutje Aliu theksoi se kjo do të ndihmonte në menaxhimin e pacientëve që të mos dërgoheshin të gjithë në Klinikën Infektive në QKUK. “Besoj se nëse sot do të shqyrtohet kjo kërkesë dhe do të shohim mundësitë që të na mbështesin në logjistikë. Edhe këtë çështje e kam diskutuar me ministrin Vitia dhe në aspektin praktik jemi pajtuar që të kemi të drejtë me e bë një kërkesë të tillë për shkak se vet fakti që jemi duke implementuar masat e reja të ndalimit të qarkullimit në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit është lloj kufizimi dhe për një orë e gjysmë, asnjë qytetarë i Ferizajt nuk do të mund të shkojë në asnjë qytet tjetër dhe është një lloj karantine”, tha Aliu.
Sipas kryetarit të Ferizajt në këtë qytet ka edhe mungesë të resurseve tek policia.
“Duke pas parasysh se policia ka mungesë të resurseve policore për të vënë në zbatim të plotë këto masa dhe vendimin, kam kërkuar që të hiqet karantina dhe këta policë të vihen në shërbim për personat e vetëizoluar dhe personat me COVID-19 në mënyrë që t’i kontrollojnë ata në mënyrë të veçantë”, përfundoi Aliu.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë është 598, 123 të shëruar dhe 16 viktima