Ferizaj me projekt për ngritjen e shkathtësive të të rinjve të margjinalizuar

Ferizaj | 04 Maj 2018 | 14:58 | Nga

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati – Shabani ka pritur në një takim drejtuesit e Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN), me ç ‘rast është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit në mes komunës PEN-it.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se edhe kjo marrëveshje është në vazhdën e konsolidimit të raportit të bashkëpunimit me organizata joqeveritare dhe procedimin e iniciativave në segmente të ndryshme shoqërore, transmeton Ekonomia Online.

Përmes këtij marrëveshje të bashkëpunimit synohet realizimi i përbashkët i projektit “Social Act”. Ky projekt do të realizohet gjatë vitit 2018 në mënyrë të vazhdueshme dhe do të përfshijnë të rinjtë e moshës 18-25 vjeçare, duke i angazhuar grupet e të rinjve më të nën-përfaqësuar dhe ata të margjinalizuar, në mënyrë t’i ngrisin shkathtësitë e tyre profesionale dhe të kenë mbështetje në zhvillimin e ideve të ndryshme rreth projekteve sociale, iniciativave lokale dhe fushatave të ndryshme.

Ndër obligimet që ka marrë komuna e Ferizajt me këtë marrëveshje është edhe organizimin e takimit informues me të rinjtë rreth politikave, problemeve dhe programeve komunale, në koordinim me PEN, formimi i rrjeteve lokale me të rinjtë, përfaqësues komunal dhe asamblistë të Kuvendit Komunal, për angazhimin e tyre në projekte dhe iniciativa lokale, asistimin e të rinjve në ndjekjen e një seance në asamblenë komunale, asistimin e të rinjve në zhvillimin e hulumtimeve për identifikimin e problemeve kyçe në komunitete lokale.

Gjithashtu, komuna ka marrë për obligim edhe asistimin e PEN-it dhe të rinjve në zbatimin e iniciativave lokale nga periudha korrik deri shtator 2018, referimi i të rinjve në partnerë, institucione apo kompani lokale, për mundësinë e angazhimit të tyre në punë apo praktikë pune si dhe iniciativa të ndryshme që do të realizohen bashkërisht.

 

Të ngjashme