Komiteti për Politikë dhe Financa i Ferizajt ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku është vendosur që të ndaj 200 mijë euro për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, kjo shumë do të merret nga kategoria mallra dhe shërbime.
Ky vendim është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin Komunal të Ferizajt, kurse mbledhja e Kuvendit Komunal do të mbahet nesër në Teatrin “Adriana”.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka ftuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit për Politikë dhe Financa.
Me këtë rast Kryesuesja Gashi, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa i ka njoftuar se së bashku me ekzekutivin komunal është vendosur që të ndahet shuma prej 200 mijë euro për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Ndërkaq, drejtorja për financa, Sebahate Ajeti-Sadiku, para anëtareve të Komitetit për Politike dhe Financa, tha se shuma prej 200 mijë euro për pandeminë Covid-19 do të merren nga kategoria mallra dhe shërbime.
“50 mijë euro janë nga nenprogrami i administratës, 50 mijë euro janë ndarë nga administrimi dhe mbledhja e tatimit në pronë, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami i infrastrukturës rrugore, 50 mijë euro janë ndarë nga nenprogrami për shërbime e shëndetësisë primare. Kjo shumë do të shfrytëzohet për sigurimin e artikujve(pakove) ushqimore e hixhienike për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, dezinfektimi i hapësirave publike, furnizimi me mjete mbrojtës nga virusi Covid 19 si dhe mbulimin e nevoja tjera që dalin si rezultat i parandalimit të këtij virusi”, ka thënë drejtorja Ajeti-Sadiku.
Vendimin për ndarjen e 200 mijë eurove për pandeminë Covid-19 e kanë përkrahura të gjitha grupet e tjera parlamentare të përfaqësuara në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës do të mbahet nesër në teatrin e qytetit “Adriana”, ndërkaq aty do të jetë edhe një ekipe mjekësore që do të kontrollojë asamblistët.