Komuna e Ferizajt ka nisur një fushatë vetëdijësuese kundër braktisjes së procesit mësimor nëpër shkolla fillore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kuadër të saj, Komuna ka organizuar edhe tryeza të përbashkëta me prindërit e komunitetit ashkali, me OJQ-të dhe me institucionet arsimore, me qëllim që fenomeni i braktisjes së mësimit të parandalohet me urgjencë.
Po ashtu, Komuna tashmë ka formuar edhe një ekip profesional për të punuar me rreth 20 familje në fshatin Dubravë, derisa fëmijët e tyre e kanë braktisur mësimin në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në fshatin Zaskok të Ferizajt.
Gjithashtu rreth kësaj çështjeje është angazhuar edhe Komiteti për komunitete në kuadër të Kuvendit Komunal të Ferizajt.