Për herë të parë në Kosovë, inspektorët komunalë të Ferizajt dolën në aksion për të kontrolluar freskinë dhe shkallën e djegshmërisë së vajit që përdoret në industrinë e ushqimeve të shpejta.
“Lehtësi në këtë aksion ofroi edhe përdorimi i pajisjeve më të fundit teknologjike për të realizuar këtë matje të cilësisë së vajit”, thuhet në një njoftim të Komunës së Ferizajt.
“Aparatet tregues të freskisë dhe shkallës së djegshmërisë së vajit u futën në përdorim sot. Nga inspektimet e realizuara në disa lokale ku shërbehen ushqime të shpejta, gjendja rezultoi e mirë, përjashtimisht në disa prej tyre ku vaji që përdorej për këto ushqime nuk ishte sipas standardeve të kërkuara”.
Komuna e Ferizajt thotë se ka investuar në këto pajisje një vlerë financiare solide, por të rëndësishme për shëndetin e qytetarëve.
Kryeinspektori i Ferizajt, Ridvan Berisha, tha se aksioni i sotëm ishte i karakterit testues, ndërkohë ditëve në vijim të gjitha lokalet ku shërbehet ushqim do të inspektohen për të matur saktësisht cilësinë e vajit që përdoret për ushqimet e shpejta. Ai ka paralajmëruar se bizneset që nuk plotësojnë kushtet e kërkuara do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi të ushqimit dhe rregullave të inspektimit.
Ferizaj po hap këtë kapitull të rëndësishëm në sigurinë ushqimore e para në gjithë Kosovën për të dhënë shembullin e jotolerancës ndaj dëmtuesve të shëndetit të qytetarëve. Në këtë kuadër, Inspektorati Komunal apelon tek të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar në vendet ku ata ushqehen si dhe të denoncojnë rastet kur hasin në produkte ushqimore jocilësore.