Me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, ditë më parë, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami ka takuar drejtorin e Inspektoratit Qendror të Pylltarisë dhe Gjuetisë, Besim Zogu.
Në këtë takim, drejtori Bajrami bëri të ditura të gjitha masat që janë ndërmarr nga qeverisja lokale e udhëhequr nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu si dhe efektin që kanë arritur këto masa në mbrojtjen e pyjeve. Për këtë, drejtori i Inspektoratit Qendror shprehu përgëzimet dhe vlerësimin për veprimet e ndërmarra në këtë drejtim nga Komuna e Ferizajt.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte intensifikimi i aksioneve të përbashkëta me qëllim parandalimin e prerësve ilegal si në tregun e drurëve ashtu edhe në rrugët pyjore e të gjuetisë.
Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami u shpreh i gatshëm t’i marr përsipër të gjitha obligimet nga niveli qendror në këtë drejtim, që terrenet malore të ruhen nga keqbërësit, kurse drejtori i Inspektoratit Qendror ofroi gjithë bashkëpunimin e nevojshëm që në pikëpamje lokale të realizohen aksione në dobi të kujdesit ndaj pyjeve.