Ferizaj, reshjet e fundit të shiut nuk shkaktuan dëme

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 15:52 | Nga

Gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Ferizajt janë shënuar reshje të mëdha të shiut. Bazuar në informacionet që vijnë nga terreni, këto reshje nuk kanë shkaktuar përmbytje, por dhe as dëme materiale në pjesë të ndryshme të komunës.

Një gjendje e mirë është paraqitur edhe në fshatin Tërrn, të cilin gjatë ditës e ka vizituar kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Ai me këtë rast ka paralajmëruar pastrimin e shtretërve të lumenjve, ndërsa ka thënë se me përfundimin e projektit të pastrimit të shtratit të lumit në pjesën e komunës së Lipjanit, përfundimisht do të eliminohen përmbytjet në këtë pjesë problematike.

“Gjatë 24 orëve të fundit në komunën e Ferizajt ka pasur reshje të mëdha të shiut por pa dëme. Jemi këtu për ta pa gjendjen në fshatin Tërrn, e cila po duket se është e mirë. Nga këtu dua të them se jemi në fazën e fillimit të pastrimit të shtratit të lumit në pjesën tonë, ndërsa me pastrimin edhe të pjesë së shtratit në komunën e Lipjanit që po bëhet nga Ministria e Ambientit, gjatë dimrit do ta kemi gjendjen më të mirë në këtë zonë”, ka thënë Svarqa.

Në anën tjetër edhe banorët e këtij fshati kanë thënë se gjendja pas të reshurave të fundit paraqitet e mirë, mirëpo kanë kërkuar zgjidhje afatgjate të këtij problemi.

Për më tepër kryetari Svarqa, ka thënë se pavarësisht reshjeve gjendja në komunën e Ferizajt, krahasuar me zonat tjera të vendit dhe rajonit është më mirë. Ai u ka shprehur ngushëllime dhe është solidarizuar me familjet e viktimave të përmbytjeve në disa lokalitete të Shkupit.

Ndryshe, ky problem që po pret zgjidhje që një kohë të gjatë, është bërë pjesë e një projekti të Ministrisë së Ambientit, e cila së fundi ka ndarë mjete për pastrimin e shtratit të lumit Sitnicë, në pjesë që i takon komunës së Lipjanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme