Ferizaj thyen rekord me numrin e rasteve të reja me Coronavirus, 25 vetëm në Spitalin e Përgjithshëm

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Ferizaj gjatë ditës së djeshme ka shënuar 55 raste të reja me coronavirus, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 177.

Burime brenda spitalit të Metros mësojnë se 25 nga këto raste janë në Spitalin e Përgjithshëm në këtë qytet. Ata janë 8 mjekë specialistë, 13 infermierë dhe 4 zyrtarë të tjerë.

Në Ferizaj aktualisht janë duke u trajtuar 13 pacientë, nga ta 11 me oksigjenoterapi.

Në Ferizaj gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 55 raste të reja, duke çuar totalin në 177 raste aktive.

“Nga njoftimi i IKSHPK-së lidhur me rastet e reja me COVID-19, bëhet e ditur se kemi edhe 55 raste të reja pozitive me këtë virus në Ferizaj që çon në 177 numrin e rasteve aktive. Shërim të shpejtë të infektuarve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.

Ndërsa ndaj këtyre shifrave ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune Agim Aliu, i cili e qujati atë ‘rekord i frikshëm’.

“Rekord i frikshëm- Bashkëqytetarë, Ferizaj po ngjitet frikshëm në krye të qyteteve me numrin më të lartë të të infektuarve me virusin COVID-19. Ju lutem, është koha e fundit të kuptoni e zbatoni drejt mesazhin e profesionistëve shëndetësor: vendosni maskën, mbani distancën e mbani higjienën personale”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Kujtojmë, që  7 drejtorë dhe tre zyrtarë tjerë politikë të Komunës së Ferizajt, kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 ditë më parë, ndërsa kryetari Aliu, pas testimit ka rezultur negativ.

Të ngjashme