Komuna e Ferizajt ka nënshkruar sot një marrëveshje të rëndësishme me organizatën IADK –Iniciativa për Zhvillimin e bujqësisë së Kosovës përmes së cilës parashihet që të ndihmohen 10 bletarë me pajisje për zhvillimin e bletarisë.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa e vlerësoi mjaft të dobishme marrëveshjen e nënshkruar për vet komunën dhe bletarët aktiv ferizajas.
“Kjo është edhe një mundësi më shumë për bletarët tanë që përmes bashkëfinancimit të komunës të përfitojnë pajisje dhe përvoja të reja për zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Ne në vazhdimsi po bëjmë përpjekje që ky sektor të përkrahet dhe të rritet ku prodhimet do të jenë sa më cilësore, por edhe do të angazhohen njerëzit që e duan këtë lëmi” tha kryetari Svarqa pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Edhe drejtori për Bujqësi në komunën e Ferizajt Ismet Vranovci shpjegoi se do të përfitohen pajisje mjaft moderne për nxjerrjen e mjaltit.
“ Është një marrëveshje mjaft e rëndësishme ku fermerët përfitues do të marrin mjete moderne për nxjerrjen përpunimin dhe ruajtjen e mjaltit që prodhojnë. Pas pak kohësh do të zhvillojmë të gjitha procedurat për përzgjedhjen e fermerëve dhe do të mundohemi që bletarët më të vyer të përfitojnë nga kjo marrëveshje” tha drejtori Vranovci.
Marrëveshja e nënshkruar sot parasheh që për këtë projekt të investohen gjithsejt 26 mijë euro, ku në shumën 65 % do të participojë organizata IADK nga Vushtrria , me 20% komuna e Ferizajt dhe me 15 % të vlerës totale duhet të participojnë fermerët përfitues.