Fermerët kërkojnë konkurrencë të drejtë në treg

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 16:41 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, në vazhdën e takimeve me fermerët vendorë, sot priti në takim kryetarin e shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Besim Kuqi dhe kryetarin e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj.

Zëvendëskryeministri Kelmendi ka kërkuar bashkëpunimin e dy shoqatave, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët që industria vendore të përmbush kërkesat e tregut, pa pasur nevojë që të importohet qumësht apo produktet e tij.

“Do të angazhohem që së bashku me ministrat e linjës të shohim kornizën ligjore që e rregullon këtë fushë. Hap pas hapi do të angazhohem për të gjetur mundësinë se si mund t’iu fuqizojmë juve, qoftë përmes lehtësimeve fiskale apo përmes financimit direkt nga Qeveria”, ka theksuar Kelmendi, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj, ka ngritur shqetësimet kryesor me të cilat përballen, duke përmendur si problem kryesore sigurinë e ushqimit, meqenëse importohen mbi 35 produkte të qumështit, e në etiketat e të cilave shkruhet se fare nuk përdoret qumësht.

“Këto janë prodhime që hyjnë në tregun tonë me çmime jashtëzakonisht të lira, të cilat ne nuk mund t’i konkurrojmë. Efekti përfundimtar i gjithë kësaj mund të jetë mbyllja e fermave. Andaj e tëra që ne kërkojmë është konkurrenca e drejtë dhe lojale”, ka thënë Memaj.

Në takim është dakorduar që të punohet edhe më tutje deri në gjetjen e një zgjidhje të kënaqshme, që synim primar ka zhvillimin e industrisë vendore.

Të ngjashme