Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka dërguar të martën një kontingjent të ndihmave për fermerët e rajonit të përmbytur të Vlorës.
Ky kontingjent përbëhej nga 30 tonelata ushqim të thatë, 18 tonelata koncentrat dhe 15 tonelata misër.
Me rastin e përmbytjeve të fundit në Shqipëri, Bordi i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka mbajtur takim urgjent me qëllim të daljes në ndihmë fermerëve të Shqipërisë së jugut dhe për një afat të shkurtër kohor ka arritur ta dërgojë kontingjentin e parë të ndihmës humanitare.
Shoqata, gjithashtu, është duke mbledhur ndihma për një kontingjent të dytë që do të dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“E kemi për obligim që të ndihmojmë njëri-tjetrin në këso situata të vështira dhe do ta bëjmë këtë sa herë që të ketë nevojë”, ka thënë Besim Kuçi, kryetar i Shoqatës.
Kjo ndihmë është mirëpritur nga fermerët e regjionit të Vlorës, të cilët kanë qenë më të dëmtuarit në vërshimet e ditëve të fundit që ndodhën në Shqipëri.
Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit është formuar në vitin 2016 dhe përfaqëson rreth 2500 fermerë nga e gjithë Kosova