Feronikeli ’74 tërhiqet nga garat e Superligës: Referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

FC Feronikeli 74 ka vendosur të mos vazhdojë më garat në Superligën e Kosovës, sepse sipas tyre, referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.

Në njoftim e skuadrës nga Drenasi shprehet një pakënaqësi e madhe me mënyrën e referimit.

“Në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më”, thuhet në njoftimin e skuadrës.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar futbolldashës, tifozë “Tigrat e Zi”, simpatizantë, lojtarë, trajnerë, donatorë dhe qytetarë të Drenasit, me keqardhje ju informojmë se FC Feronikeli 74 ka vendosur të mos vazhdojë më garat në këto rrethana ku, sipas nesh, referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.

Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin fair play të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: “Mjaft është mjaft!”

Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndjemë humbës në fushë. Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë. Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por, për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër.

Nëse FFK e konsideron të drejtë këtë qasje, ne nuk mund të jemi më pjesë e një gare të tillë. E ftojmë Prokurorinë që të hetojë referët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat kanë dëmtuar sportin që të gjithë e duam. Kërkojmë falje të sinqerta për futbollistët tanë, për tifozët “Tigrat e Zi”, për donatorët dhe për të gjithë ata që kanë qëndruar përkrah nesh ndër vite.

Në këto rrethana, bordi së bashku me Presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më.

Të ngjashme