Feronikeli arriti që sot të shënoi fitore të rëndësishme ndaj Ferizajit në çerekfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës në futboll.
Skuadra nga Drenasi arriti fitore minimale me golin e vetëm të shënuar nga Kastriot Rexha, por që ishte e mjaftueshme për të kaluar në gjysmëfinale.
Pas ndeshjes, trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, u shpreh i lumtur me fitoren.
“Jam shumë i lumtur me fitoren e arritur dhe kualifikimin. Jam i lumtur me faktin që dominuam ndeshjen. Kemi humbur disa raste të mira shënimi që është dashur t’i konkretizojmë”, tha fillimisht Ramadani.
Ai gjithashtu ka thënë se ndeshjet e para pas pushimit nuk janë aspak të lehta, ndërsa u nda i kënaqur me atë që treguan futbollistët në fushë.
“Gjithmonë ndeshjet e para në pranverë janë të vështira. Por jam i kënaqur me atë që treguan futbollistët pasi dhanë maksimumin”.
“Kemi konkurrencë shumë të mirë dhe të shëndosh brenda ekipit. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të tregojnë vetën dhe në fund të fitojmë së paku një trofe”, deklaroi Zekirija Ramadani.