Skuadra uellsiane The New Saints ka vazhduar me përforcime, por te Feronikeli vazhdojnë të besojnë fuqishëm se mund të bëjnë hap tutje në Ligën e Kampionëve. Nëse për bazë merret suksesi i Dritës në edicionin e kaluar, atëherë hap tutje për Feronikelin do të jetë kalimi i raundit të parë kualifikues.
Në raundin e parë kualifikues, kampioni kosovar takohet me kampionin e Uellsit, The New Saints. Ndeshja e parë luhet pas një jave, më 9 korrik në Uells. Ndërkohë ndeshja e kthimit është më 17 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Në Prishtinë, Feronikeli ka luajtur tashmë dy ndeshje të Championsit, përkatësisht të raundit parakualifikues. Më 25 qershor fitoi 1:0 ndaj Lincoln Red Imps të Gjibraltarit në gjysmëfinale, ndërsa në finale të raundit e mposhti Santa Coloman e Andorrës me shifrat 2:1.