Ish-ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, po thotë se Bashkimi Europian që 10 vjet diskriminoi qytetarët e Kosovës me mosliberalizimin e vizave.
Duke kritikuar BE-në, Çollaku lavdëroi institucionet e vendit për punën që kanë bërë në këto 10 vjet për të merituar udhëtimin pa viza, njofton Klan Kosova.
“Edhe pse Kosova bëri më shumë se detyrën e saj, BE-ja s’e mbajti premtimin e saj dhe s’ia dha atë që qytetari i Kosovës e ka merituar. Këto janë 10 vjet të admirimit për punën e madhe dhe serioze për plotësimin e këtyre kritereve nga institucionet e Kosovës”.
Një video që shfaq Çollakun duke festuar në ditën kur Komisioni Europian dha rekomandimin për Kosovën është ndër më të komentuarat për “festën e parakohshme të Kosovës”.
Por, Çollaku në Info Magazine tha se nuk është pishman për atë festë që e bënë në kabinet meqë rekomandimi i dhënë nga KE-ja ishte momenti kritik për Kosovën.
“S’jam pishman në asnjë mënyrë, sepse ato deklarime janë 100 përqind të sakta. Kemi pritur rekomandimin pozitiv për përmbushjen e kritereve atë ditë dhe Komisioni Europian e ka dhënë rekomandimin pozitiv. Mirëpo ne atë ditë nuk i jemi gëzuar vendimit përfundimtar. Për ata që e njohin këtë proces është plotësisht i kuptueshëm, për ata që s’e njohin është totalisht i pakuptueshëm pse Kosova është pa viza edhe sot e kësaj dite”.
Çollaku tha se derisa festuan ishin optimistë dhe askush s’ka besuar që BE-ja “do t’i tradhtojë dy milionë qytetarë të Kosovës”.
“S’kemi festuar para kohe, por momenti kritik është momenti kur jepet rekomandimi nga Komisioni, sepse KE është ai që me shtetet të cilat duan të përfitojnë nga kjo mundësi për të lëvizur pa viza përkujdeset që të zbatojë kriteret e një shteti që aspiron të fitojë këtë të drejtë. S’kemi festuar para kohe, por BE-ja është vonuar tej mase, ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës BE po i diskriminon në mënyrë klasike qytetarët e Kosovës”.
Ish-ministri thotë se Kosova qysh nga shpallja e pavarësisë nuk trajtohet në mënyrë të barabartë nga BE-ja derisa arsye për mosliberalizim të vizave më shumë e sheh mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.