Kryeministrat dhe presidentët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve tjera mike të Kosovës nuk pritet të vijnë në festimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit më të ri në Evropë.
Derisa vetëm 10 ditë na ndajnë nga jubileu i shtetësisë së Kosovës, institucionet e vendit deri më tani nuk kanë bërë të ditur nëse ndonjë prej liderëve të shteteve të fuqishme apo figurave të rëndësishme ndërkombëtare e ka konfirmuar pjesëmarrjen në festën e 17 Shkurtit.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se probabiliteti për pjesëmarrjen e delegacioneve nga shtetet e fuqishme është shumë i vogël.
Sipas tyre, kjo po ndodh pasi krerët e shtetit momentalisht janë të refuzuar nëpër botë për shkak të mospunës dhe për shkak të acarimeve të marrëdhënieve të krijuara nga situatat e fundit në vend.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë për “Zërin” se në 10-vjetorin e Pavarësisë nuk pret pjesëmarrje të madhe të delegacioneve të huaja, kjo pasi në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë Kosova vazhdon të jetë një shtet me probleme serioze të shtetësisë.
Ai tha se procesi i shtetndërtimit si sprovë e kapaciteteve të brendshme është sfiduar nga dështimet e vazhdueshme të klasës politike, pra edhe të pushtetit edhe të opozitës.