Festime dhe homazhe në Ditën e Flamurit, Prekazi i mbushur me qindra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare

Prishtinë | 28 Nën 2024 | 14:09 | Nga Diellza Gashi

Prekazi, një nga vendet më simbolike të kombit shqiptar, ka qenë sot epiqendra e festimeve për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, raporton Ekonomia Online.

Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur në këtë vend historik për të nderuar themelimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe për të kujtuar sakrificat e paraardhësve.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, qytetarët, morën pjesë në ceremoni solemne dhe homazhe në vendin ku lindi Dëshmori i Kombit, Adem Jashari e Hamëz Jashari.

Qytetari Ramadan Qeriqi me bindje të plotë thotë se trojet shqiptare do të bëhen bashkë. “Jam shumë i gëzuar më mirë nuk ka, po e mbaj këtë sepse e duam Shqipërinë etnike, nuk jemi të bashkuar por do të bashkohemi, unë e kam shpallur vetë më gjeneral të trojeve etnike për Shqipërinë etnike. Do të bëhet bashkimi edhe kur ka qenë Jugosllavia askush nuk ka menduar që do të bëhet, por u bë dhe lavdi Adem Jasharit dhe të gjithëve dëshmorëve të kombit. Kemi me u bërë bashkë dhe bashkë jemi gjithmonë sepse jemi shqiptar. Ju uroj popullit shqiptar 28 nëntorin e shpresojmë të presim gjithmonë me gëzim”, ka deklaruar Qeriqi.

E moshuara Mirishahe Zikolli ka theksuar se shqiptarët duhet të punojnë dhe të jenë më të bashkuar. “Po ndjehemi me gëzim shumë, Zoti me xhenet i shpërbleftë këta. Zoti qoftë për gjithë botën edhe për ne. Shqiptarët me shqiptarët duhet me punu bashkë, më së miri është,” ka theksuar Zikolli.

Qytetarja nga Tirana e cila është duke jetuar në Kosovë tash e tetë vite, Mikleda Tora shprehet e entuziazmuar e krenare pasi që vjen për herë të parë në Prekaz.

“Është hera e parë që vij në Prekaz, historitë që tregonte të japin ndjesi si të ishe aty. Është një patriotizëm që lind në shpirt dhe ndjehet shumë e mirë. Duhet që të kemi më shumë bashkëpunim,” tha Tora.

Të ngjashme