Para një numri të madh adhuruesish të kinemasë dhe aventurës malore është hapur sonte festivali i Filmave Malorë BANFF. BANFF Kosovo është festival i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, që erdhi në Prishtinë nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada për të shfaqur një përzgjedhje filmash që kanë për qëllim të promovojnë sportet malore, aventurën në natyrë dhe avanturistët më të mëdhenjë të natyrës në botë.
“Donim ta sjellnim adrenalinën e majave më të larta në qendër të qytetit. Përmes syve të regjisorëve më të mirë të filmit do të ndajmë me ju histori frymëzuese nga pikat më të larta dhe më sfiduese të Tokës duke shpresuar t’u motivojmë të eksploroni dhe t’i përjetoni më shpesh mrekullitë e planetit tonë” – është shprehur në fjalën e tij të hapjes, drejtori i festivalit Besnik Shala.
“Vijmë në Prishtinë të mbështetur nga një komunitet fantastik i aventurës në natyrë, kurse ndjehemi tejet të lumtur që ky entuziazëm është treguar edhe në nivel institucional, dhe kjo është treguar nga mbështetja që kemi marrë dhe nga prezenca juaj sonte’ – ka thënë ai, duke e përshendetur prezencën e Kryeministrit Hoti, Ambasadorit Rhode të Gjermanisë si dhe reprezentuesve tjerë institucional që ishin në hapje të BANFF.
RED Programme që u shfaq sonte me 7 Tetor, hapi festivalin me një përmbajtje filmash ku trajtohet çiklizmi malor, vrapimi, surfi, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.
Të 16 filmat që shfaqen në Prishtinë me 7 dhe 8 tetor janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Kanadanë, Amerikën, vende te ndryshme Skandinave, Letoninë, Afrikën e Jugut, Francën, Austrinë dhe vende tjera nga mbarë bota.
BANFF Mountain Film Festival organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë cdo vit që nga viti 1976. Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgaditet për tu shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. Prishtina është për herë të parë nikoqire e këtij festivali në rajon.
Kjo është një ngjarje e kulturës, artit, sportit dhe aventurës, që organizohet nga Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet Ambasada Kanadeze në Kroaci, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Red Bull Kosova.